E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besnik Hasi: “Jam një ndihmëstrajner ideal”



Klubi më i rëndësishëm belg, RSC Anderleht bëri të ditur në faqen e tij zyrtare se kishte arritur në parim një marrëveshje me Besnik Hasin. Kosovari, ish-lojtar i njohur i Kombëtares shqiptare, do të luajë rolin e zëvendëstrajnerit të Anderlehtit duke filluar nga sezoni tjetër, ndërkohë që zyrtarisht kontrata pritet të firmoset në fund të sezonit aktual.
Besnik Hasi bëri një prezantim të jashtëzakonshëm për Cercle Bruges. Para pak javësh mediat belge i kushtuan një vëmendje të posaçme Besnik Hasit me rastin e ndeshjes Anderleht-Cercle Bruges, pasi edhe më parë ishte folur për mundësinë e shqiptarit për të qenë në stafin teknik të ish-skuadrës së tij.
“Unë kam ende edhe një vit kontratë, por ka një moment ku duhet ditur të thuash ndal. Më kujtohet që kur unë u largova nga klubi, Rozher Vanden Stok dhe Filip Kolin më kishin thënë që dyert e klubit do të ishin për mua gjithmonë të hapura”, - është shprehur Hasi për gazetën belge “Sud Presse”.
Për Besnik Hasin të qenit në rolin e ndihmësit të trajnerit do të thotë shumë. Fillimi i një karriere të madhe, për të cilin ai është koshient se do t’ia dalë.
Kur iu kërkua shqiptarit nga gazeta belge, nëse ai i kishte cilësitë e nevojshme për të qenë një ndihmës i mirë, Hasi përgjigjet: “Po, unë besoj se kam profilin ideal. Unë jam dikush që e njoh shtëpinë në të gjithë cepat e saj. Njoh mentalitetin e dhomave të zhveshjes. Jam dikush që kam luajtur në nivel të lartë, që di si të përballojë presionin në momente të rëndësishme dhe që di te jetë më shumë se një ndihmës. Unë flas gjashtë gjuhë, kam qenë një futbollist ndërkombëtar, kam njohur trajnerë të mëdhenj. Këto janë atutë e mia, letrat e mia”.
Në fakt, Besnik Hasi, një nga lojtarët model në përfaqësuesen shqiptare dhe ndër të preferuarit e gjermanit Hans Peter Brigel ishte një ndër “viktimat” e ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, kroatit Oto Bariç, dhe kapiteni i dytë i djegur në “revolucionin Bariç”, pas Igli Tares.

KARRIERA

36-vjeçari nga Gjakova, i cili gjatë këtij sezoni është ende aktiv në radhët e Cercle Bruges, te Anderlehti shpenzoi gjashtë vite të karrierës së tij të gjatë futbollistike në stadiumin “Constant Vanden Stock”: 2000-2006, duke luajtur më shumë se njëqind ndeshje në kampionat për fanellën e këtij klubi.
Me Anderlehtin, mesfushori shkatërrues Besnik Hasi u shpall edhe kampion i Belgjikës gjatë sezoneve 2000-2001 dhe 2003-2004.

Cana betohet: “Nuk largohem nga Marseja”

Sa më shumë shtohen zërat për një transferim të mundshëm të Lorik Canës në një prej klubeve më të mëdha në planet, Reali i Madridit, aq herë kapiteni shqiptar i Olimpikut të Marsejës, përbetohet për besnikëri të përjetshme ndaj klubit francez.
Vetëm 24-vjeç, mesfushori Lorik Cana është shndërruar në idhullin e tifozëve, të cilët mesa duket ushtrojnë një presion të jashtëzakonshëm të ish-lojtari i Paris Sën Zhermenit të mos e lërë skuadrën bregdetare. “E dua klubin, e adhuroj tifozerinë. Nuk shoh asnjë arsye për t’u larguar, - deklaroi Cana për gazetën franceze “La Provence”. “Interesimi i klubeve të tjera më pëlqen, por unë dëshiroj të qëndroj. E konsideroj Olimpikun si klubin më prestigjioz në Francë”.

Nevil Dede, sot kundër Qingdao

Ndërsa trajneri i kombëtares shqiptare Ari Han nuk e përfshiu në listën kundër Polonisë, Nevil Dede, ish-futbollisti i Tiranës që aktivizohet në Kinë me Changsha Ginde do të luajë të sot (ora 9:35) kundër Qingdao Jonoon , në ndeshjen e vlefshme për javën e 6-të të kampionatit maksimal kinez, Super League. Skuadra e 33-vjeçarit Dede nuk ka mundur të fitojë asnjë nga pesë ndeshjet e para, duke barazuar 3 e humbur 2 (golaverazhi 5-9 gol), duke u renditur në vendin e 14-të nga 68 ekipe që ka Superliga kineze. Kundërshtari i Changsha Ginde, Qingdao Jonoon ndodhet në vendin e 7-të me një bilanc të kënaqshëm: 5 ndeshje; 2 fitore, 2 barazime e 1 humbje.

3 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›