Tonaj: Prokuroria të zbardhë telefonatat e Ndokës me zyrtarët e arrestuar për korrupsion
Ajo ishte një mbledhje abuzive e administratës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtorëve rajonale me në krye ministrin e Shëndetësisë, Ndoka, në një ditë pune zyrtare, duke braktisur orarin e punës, për të cilin DAP duhet të reagojë ligjërisht.
Ne disponojmë kasetën e filmuar dhe do ta zbardhim atë.
Ky i ashtuquajtur Këshill Kombëtar i improvizuar u përpoq të marrë vendime absurde me mendësi bolshevike, duke përjashtuar cilindo që nuk mendon e vepron si Ndoka, njëlloj si “Vullnetarët e Enverit” që, kur të gjithë demokristianët e vërtetë luftonin për të rrëzuar Enverin e komunizmin, mblidheshin për të mbajtur gjallë sistemin diktatorial që kishte marrë fund”, - tha Tonaj.
Ai deklaroi se përjashtimet e Ndokës synuan kryetarët e degëve më të zgjedhur, ndërkohë që kryesia që ka mbledhur Ndoka përbëhet nga njerëz të pavotuar në parti dhe elektorat. “Ndoka dhe drejtorët e tij synuan të përjashtojnë nga partia anëtarë të kryesisë, zv/ministra, kryetarë degësh, anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe deputetë të saj. Si për çudi, përjashtuan kryetarë degësh të partisë, që kanë rezultatet më të larta me mbi 9% të votave, kur e gjithë kryesia e Ndokës ka marrë 1.3% të votave. Në vend që të analizojnë defektet e tyre, ata zbulojnë armiq jashtë partisë dhe për çudi i gjejnë ata te z. Berisha dhe znj. Topalli.
I ashtuquajturi Këshill Kombëtar ishte i përbërë nga një bashkim i elementeve të ardhur nga partia e Metës dhe Milos dhe të emëruar drejtorë nga ana e z. Ndoka, kur dihet se të gjitha emërimet e Ndokës janë bërë sipas shijeve të tij personale, për të cilat tregohen barcoleta në të gjithë opinionin publik dhe në media”, - deklaroi Tonaj.
Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i PDK tha se duhen zbardhur lidhjet e Ndokës me zyrtarët që janë arrestuar për korrupsion. “Është rasti që të zbardhen bisedat e 9 zyrtarëve të lartë të Ndokes (por jo të Partisë) të arrestuar për korrupsion.
Vendimi më i rëndësishëm i tyre ishte lajthitja për të thirrur një Kongres, kur dihet që ata nuk mund të marrin më vendime, pasi janë të pezulluar dhe vetëm më datën 1 prill mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre”, - tha Tonaj. Ai shtoi se gjykata e Tiranës e ka regjistruar Ndokën me dokumente false. “Ju bëjmë me dije mediave dhe opinionit publik se dje, z. Ndoka dhe administrata e tij kanë manipuluar dhe Gjykatën e Faktit, Tiranë, e cila ka pranuar, hedhur në short dhe gjykuar me një procedurë tepër të shpejtuar, për të futur në dosjen e partisë dokumente false. Këtë vendim të kundërligjshëm ne e kemi ankimuar dhe me këtë rast i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të investigojnë punën e gjyqësorit. Kryesia e PDK dhe Këshilli Kombëtar po vazhdon rregullisht punën për zhvillimin e Kongresit”, - akuzoi Tonaj.