E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Do të kemi buxhet shtesë 150 milionë euro për të përballuar krizën

Në korrik të këtij viti, qeveria shqiptare do të çojë në parlament një buxhet të ri shtesë prej 150 milionë eurosh, ku një pjesë e mirë e këtyre parave do të shkojë për rritje të pagave dhe pensioneve. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dje se ky buxhet suplementar prej 150 milionë eurosh do të japë mundësi për të mbështetur popullatën me rritje të rrogës dhe pensioneve, për të përballuar pasojat që vijnë nga rritja e çmimeve të ushqimeve. Pra, shihet qartë se në ndryshim nga dy vitet e kaluara, ku buxheti shtesë shkonte për investime në masën thuajse 100 për qind këtë vit, ai do të shkojë në pjesën e tij më të madhe për të përballuar krizën ekonomike ose rritjen e madhe të çmimeve të konsumit. Ky, në fakt është një lajm i mirë dhe dëshmon se Ministria e Financave, por edhe qeveria e kanë të qartë se kriza e çmimeve është vërtet shumë serioze. Fillimisht, kur është miratuar buxheti i këtij viti në fundvjeshtën e vjetshme ishte caktuar një vlerë prej rreth 50 milionë dollarësh, për të rritur pagat dhe pensionet në mes të këtij viti. Kjo situatë, sigurisht që është përmbysur dhe për rritjen e pagave dhe të pensioneve do të përdoren më shumë para, ndonëse ende nuk është e qartë sesa para do të përdoren për këtë gjë. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dje se, “qeveria ka buxhet për të marrë në mbrojtje shtresat në nevojë për të përballuar rritjen e çmimeve.” Lidhur me këtë argument, ministri tha se po punohet për të bërë një politikë të rritjes së pagave dhe pensioneve në ato dimensione që të mos shkaktojë inflacion të brendshëm. Vitin e kalur, pagat dhe pensionet u rritën në masën 23 %. Veç rritjes së pagave dhe pensioneve, në buxhetin shtesë prej 150 milionë eurosh është parashikuar që një pjesë e mirë e parave të shkojë për të mbështetur mbajtjen e niveleve të konsumit në parametra të pranueshëm, por edhe për të mos lejuar që kostoja e prodhimit të rritet pa kthim. Masat nuk janë ende të qarta, por ndër to do të jenë ndërhyrje në sektorin e biznesit të vogël e të mesëm të përpunimit të qumështit, bukës, vajit, etj. Edhe investimet që do të parashikohen në këtë buxhet shtesë do të jenë investime që do të kenë të bëjnë kryesisht me fushat që mund të nxisin ruajtjen e konsumit dhe shpërndarjen më të mirë të parasë dhe jo investime të karakterit afatgjatë, ku përfitimi i shpejtë është vështirë të merret. Në fakt, kriza e çmimeve ka dhënë tashmë efektet e saj të para, ndonëse Ministria e Financave përpiqet të mos e bëjë të njohur shkallën reale të saj. Edhe dje, ministri i Financave tha sen në krahasim me vendet e tjera të rajonitn çmimet në Shqipëri janë rritur më pak. Gjithashtu, Ministria e Financave, gjithmonë e ka cilësuar krizën e çmimeve për shkak të konjukturës ndërkombëtare dhe jo për shkak të zhvillimeve të brendshme. Ekonomia jonë është një ekonomi e cila është e varur krejtësisht nga importi dhe prodhimi vendas luan një rol të papërfillshëm në luhatjet e çmimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›