E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronarët e Taiwan sqarojnë për çështjen e truallit në parkun "Rinia"

Prej 23 nëntorit çështja e parkut "Rinia" dhe kompleksit "Taiwan" është një prej çështjeve më të nxehta të debatit politik.
Ministri i Transporteve Sokol Olldashi i pari e më pas edhe kryeministri Sali Berisha nga njëra anë dhe administratori i bashkisë së kryeqytetit Dritan Agolli nga ana tjetër janë përplasur në konferenca mediatike për ligjshmërinë e veprimeve të bashkisë kundrejt kompleksit "Taiwan" në parkun "Rinia".
Sipas kryeministrit Berisha bashkia ka shkelur ligjin për shitblerjen e trojeve, ndërkohë që sipas bashkisë toka është shitur në përputhje me ligjin për legalizimet pro të cilit kanë votuar edhe përfaqësuesit e PD-së në Këshillin Bashkiak.
Pavarësisht zhurmës së politikës së ditës debati bëhet vetëm për zonën e gjelbëruar në hyrje të bar restorant "Taiwan" në krahun e rrugës "Dëshmorët e 4 shkurtit". Ndërtesa ku shtrihet kompleksi është jashtë debatit të ngritur së fundmi nga qeveria.
Lokali "Taiwan" është ndërtuar mbi gjurmën e ndërtesës së lokalit të vjetër "Lulishte Rinia". Në vitin 2001 shoqëria Taiwan shpk ka blerë objektin "Lulishte Rinia" dhe truallin funksional të tij me sipërfaqe 1815 m2 nga pronarët e ligjshëm të saj.
Pronarët e bar restorant "Taiwan' sqarojnë se po në vitin 2001 kanë aplikuar pranë bashkisë së Tiranës për leje ndërtimi me synim prishjen e kompleksit ekzistues dhe ngritjen e një ndërtese me 20 kate, por Bashkia e Tiranës miratoi ndërtimin e një godine me vetëm 2 kate mbi tokë dhe 2 kate nën tokë.
Ata sqarojnë se 1350m2 të cilat janë bërë pjesë e debatit politik, janë blerë në kuadër të ligjit për legalizimin e shtesave në ndertime të vitit 2004.
Neni 2, pika 11 i këtij ligji thotë se Këshilli i njësisë vendore vendos për kalimin në pronësi private të sipërfaqes së pronës në favor të kërkuesit të legalizimit të sipërfaqes tej lejes së ndërtimit.
Përsa i përket çmimit me të cilin është privatizuar trualli prej 1350 m2, një çmim i cili kap vlerën e 120 mijë lekëve për m2 në korrespodencën mes bashkisë dhe zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme , ky çmim është dhënë pikërisht nga hipoteka.
Shoqeria "Taiwan" sqaron se kalimi i tokës në pronësi private është kryer duke ndjekur të gjithe hapat e parashikuar në ligjin për legalizimin dhe në këshillin bashkiak kanë votuar pro shitjes së truallit përfaqesuesit e të gjitha forcave politike. Kështu shoqëria "Taiwan" ka paguar 200 mijë $ për blerjen e truallit dhe 500 mijë$ dollarë për legalizimin.
Shoqeria Taiwan shpk ndërkaq deklaron se ajo ka sistemuar me fondet e saj të gjithe parkun "Rinia" dhe rrugën përballë kompleksit me një kosto prej rreth 1 milion euro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›