E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronarët e mjeteve, siguracion për pasagjerët

VendimiQeveria ka miratuar dje vendimin që detyron pronarët e mjeteve të transportit publik të paguajnë siguracion dhe dëmshpërblejnë pasagjerët, nëse pësojnë aksidenteTIRANË- Të gjithë njerëzit që udhëtojnë me transportin publik në Shqipëri, duhet të kenë siguracion të veçantë, i cili duhet të paguhet nga pronarët e mjeteve. Projektligji i propozuar nga Ministria e Financave, ka marrë miratimin në qeveri. Sipas tij, pronarët e autobusëve të transportit urban e interurban, autobusëve turistikë, të taksive, madje edhe çdo mjeti lundrues dhe fluturues i destinuar për transport publik, janë të detyruar të lidhin kontratë për sigurimin e aksidenteve të pasagjerëve që ata transportojnë.

Objekt i këtij projektligji janë edhe teleferikët dhe mjetet e transportit mbi shina, përfshirë trenat, tramvajet, metrotë, etj. Sipas projektligjit, i cili ka kaluar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, kontrata duhet të lidhet midis pronarit të mjeteve të sipërpërmendura dhe një agjencie sigurimi. Projektligji detyron pronarët e mjeteve të transportit publik, që në kontratën e sigurimeve, të përfshihen edhe personat që pësojnë aksident gjatë qëndrimit në territorin e stacionit, portit apo aeroportit, ose pranë mjeteve të transportit para se të hipin ose që janë duke zbritur, të cilët kanë qëllim të udhëtojnë, ose që kanë udhëtuar me njërën nga këto mjete transporti, pavarësisht nëse kanë prerë apo jo biletë. Ndër pasagjerët, të cilët mbulohen nga kontrata e sigurimit, përfshihen edhe personat që kanë të drejtë të udhëtojnë pa pagesë. E kundërta ndodh në transportin ajror pasi, personat që gjenden në avion, në shkallë ose kabinë pa autorizimin e pronarit të avionit, ose të ekuipazhit, nuk vlerësohen pasagjerë dhe shoqëria e sigurimit nuk është e detyruar të mbulojë shpenzimet e tyre në rast aksidenti. Sipas këtij projektligji, në rast aksidenti ku pasagjeri humb jetën apo pëson dëmtime që i shkaktojnë paaftësi të përhershme, ai, ose përfituesi i siguracionit të tij, do të dëmshpërblehet nga kompania e sigurimeve, me të cilën pronari i mjetit të aksidentuar ka lidhur kontratën. Minimumi i shumës së siguruar për çdo pasagjer të mbuluar nga kontrata e sigurimit, sipas nenit 17 të këtij ligji, është dy milionë lekë në rast humbje jete, dhe 4 milionë lekë në rast të shkaktimit të paaftësisë së përhershme

Pasagjeri i përfshirë në një aksident, ose përfituesi i sigurimit të tij në rastin kur pasagjeri humb jetën, ka të drejtë që, sipas kushteve të kontratës, të kërkojë nga shoqëria e sigurimit të paguajë detyrimet që rrjedhin nga kjo kontratë drejtpërdrejt tek ai. Kjo ndodh në rastin më të mirë, pasi në rast se pronari i mjetit të aksidentuar nuk ka lidhur një kontratë sigurimi, është i detyruar të mbulojë me të ardhurat e tij të gjitha shpenzimet që ky projektligj ua atribuon shoqërive të sigurimit. Projektligji në fjalë, pavarësisht miratimit në Këshillin e Ministrave, më parë duhet të miratohet nga Kuvendi për të marrë formë ekzekutive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›