E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush shqetësohet për muzikën elitare

Çmimi i madh i “Ton de Leeuw” për kompozitorët e rinj shkon në Letoni. Shqipëria vetëm një trofe për Ajet Çekiçin. I riu: “Brezi i ri ka prurje dhe vepra të mira. Mendoj se duke punuar gradualisht do ngrihet niveli i muzikës bashkëkohore në Shqipëri. Ka talente por fatkeqësisht duhet të sakrifikojnë shumë për të bërë muzikë.”

Edicioni II i Festivalit të Kompozitorëve të Rinj “Tonn de Leeuw” shpalli mbrëmë fituesit. Në konkursin 4-ditor morën pjesë 12 kompozitorë nga vende të ndryshme, mes tyre edhe tre shqipëtarë. Juria e përbërë nga Prof.Dr Sokol Shupo, Prof.Dr Shpëtim Kushta si dhe Prof Dr. Rokus de Groot i akordoi çmimin e parë kompozitorit nga Letonia Dimitri Rastoropov; çmimi i dytë u nda mes kompozitorit shqiptar Ajet Çekiçi dhe atij grek Stulianos Dimou. Edhe çmimi i tretë pati të njëjtin fat, ex aequo për kompozitoren greke Evangelia Tonia dhe italianin Riçardo Panfili. Çmimi special i shoqatës “Aelfior” iu dha kompozitorit nga Qipro, Marios Joannou Elia.

Një ditë para se të vlerësohej me çmim, 25-vjeçari Ajet Çekiçi dha këtë intervistë ku tregon për jetën si kompozitor dhe për veprën që i dha një trofe.

Kur ke filluar të kompozosh ?

Kam filluar në vit të tretë të Akademisë. Në atë periudhë kam krijuar trio dhe kuartet, pjesë për orkestër, koncert për violinçel dhe orkestër etj. Dëshira ime është të eksperimentoj me tingullin.

Si është proçesi i kompozimit?

Nuk është një proces konkret, kjo në kuptimin që nuk ulem dhe kompozoj. Unë mendoj në çdo moment për atë që do krijoj, kudo që të gjendem. Përpara se të nis një kompozim përgatis materialet e punës, dmth. cilat janë ato instrumente që i afrohen temës që kam zgjedhur. Pastaj përcaktoj se si do ta shkruaj një temë. Punën mund ta realizoj në tavolinë ose në piano, për të dëgjuar se si tingëllon pjesa. Njësoj si një arkitekt, edhe unë në fillim ngre strukturën e pjesës dhe pastaj nis kompozimin. Pastaj është edhe zgjedhja e instrumenteve. Tema do të realizohet me një apo me disa instrumente, cilët do të jenë më të përshtatshmit etj.

Ku frymëzohet një kompozitor i shekullit të XXI?

Në jetën e përditshme ose më mirë të themi ndikohet shumë nga ajo. Problemet që hasim përditë, mungesa e dritave e ujit dhe shumë gjëra të tjera ndikojnë në krijimtari. Burime të pashterueshme janë edhe folklori dhe librat. Muzika është si një dyqan i madh ku ti hyn edhe kërkon se si ka punuar ky apo ai autor, pasi i studion krijon një folklor tëndin.

Sa kohë të duhet për të kompozuar një pjesë?

Kjo varet sipas veprës. E para gjë që bëj është përcaktimi i minutazhit, pra sa minuta do të zgjasë kjo pjesë. Veprën me të cilën konkurrova në “Ton de Leeuw” e kam kompozuar për pesë muaj, ndërkohë që kam pasur në dorë edhe vepra të tjera. Ndonjëherë më ndodhte që lodhesha duke krijuar këtë pjesë dhe kaloja te një pjesë tjetër që ishte më e gëzueshme. Dhe më pas i rikthehesha. Unë punoj në bazë të tregut. Në të gjitha aktivitete që shkoj marr pjesë me vepra të reja, nuk më pëlqen një vepër ta çoj në shumë festivale.

Si titullohet pjesa me të cilën konkuruat?

“Kuartet harqesh nr. 3”. Mendova se kjo vepër do më përfaqësonte më mirë. Unë nuk kam dëshirë tu vendos emra krijimeve të mia. Më shumë më intereson muzika sesa titulli. Gjithashtu edhe teknika se si kompozoj një vepër.

Si mund ta klasifikojmë krijimtarinë tënde?

Si gjini muzika që unë krijoj i përket muzikës bashkëkohore. Krijoj në koherencë me ritmet e muzikës evropiane dhe botërore. Ka përfunduar koha e Beethovenit dhe e Moxartit. Tani luhet muzikë bashkëkohore.

Çfarë mendoni për brezin e ri të kompozitorëve? Sipas teje ka talente mes tyre?

Brezi i ri ka prurje dhe vepra të mira. Mendoj se duke punuar gradualisht do ngrihet niveli i muzikës bashkëkohore në Shqipëri. Ka talente por fatkeqësisht duhet të sakrifikojnë shumë për të bërë muzikë.

Sa hapësirë ofron skena shqiptare për këta kompozitorë të rinj?

Shumë pak. Pjesa më e madhe e tyre krijojnë për festivalet e këngës së lehtë. Muzika që ne krijojmë është elitare. Nuk mund të krijohet dhe të ngelet në partiturë. Në vende të tjera veprohet ndryshe. Shteti apo vetë teatrot e operave porosisin vepra për ti vënë në skenë, këtu te ne nuk ndodh një gjë e tillë. Mendoj se kjo do të ishte një zgjidhje efikase. Deri sot unë nuk di që ndonjë kompozitor i ri të ketë ngjitur në TKOB ndonjë operë të tijën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›