E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pronarët" e rinj të "Bllokut"

"Robin Hudët" modernë çdo ditë u marrin haraç "të pasurve" që duan të parkojnë makinën në zonën e "Bllokut".


Kryesisht janë fëmijë minorenë, të cilët vendosin karrige, kona rrugorë apo qëndrojnë dhe vetë në këmbë për të rezervuar parkimin. Nëse nuk paguan, askush nuk mban përgjegjësi për dëmin që mund t'i ndodhë makinës

Ish-bllokmenëve shqiptarë u ka mbetur vetëm nami dhe deklaratat politike, dhe tashmë ata janë zëvendësuar nga një lloj i ri njerëzish. Janë të rinj, janë të shkathët, janë guximtarë, ata janë pronarët e rinj të "Bllokut".


Nuk zotërojnë pallate e godina, por rrugë dhe rrugica e ngushta. Territorin e tyre e ruajnë me kona, gurë dhe karrige të vjetra dhe askush nuk guxon që t'ia prekë. Nëse ke nevojë, ata ta japin vendin me qira, për vetëm 100 lekë në ditë dhe ti mund të parkosh aty makinën tënde.


Nëse nuk paguan haraçin, mund të presësh çdo gjë në mjetin tënd dhe askush nuk mban përgjegjësi për atë që ka ndodhur. "Robin Hudët" e "Bllokut" janë djem nga 12 deri në 18 vjç dhe çdo ditë i marrin taksën makinave që parkohen aty.

Nëse kë një makinë, zakonisht duhet të rrotullohesh të paktën tri herë në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet për të gjetur një vend ku mund të parkosh. Një pjesë e parkimeve janë të zëna nga lokalet e zonës, pjesën tjetër bashkia ia ka dhënë taksive dhe ajo që mbet, realisht është diçka rreth 80 % e vendit, quhet parkim publik. Por, parkim publik është vetëm fjala, pasi nuk ndodh kështu.


Çdo rrugicë e "Bllokut" është e ndarë sipas një rregulli të caktuar, le të themi sipas një rendi të pazakontë administrativ. Pronarët e rinj të "Bllokut" kanë ngritur bizneset e tyre primitivë, por fitimprurës. Deri pak kohë më parë, këta fëmijë i gjeje pranë urave të Lanës duke kërkuar lëmoshë, por tani mund të quhen "afaristë".


Në zonën e ish-"Bllokut", pothuajse në çdo rrugicë do të ndeshesh me një nga këta udhërrëfyes të sjellshëm, të cilët teksa shohin një shofer që po kërkon me sy një vend për të parkuar makinën, shpejtojnë t'i bëjnë me shenjë për një vend të lirë që gjendet pak metra më tej.


Vendi në pamje të parë duket se është i rezervuar, por "punonjësi i parkimit" vrapon të heqë konin e kuq nga vendi, dhe ja vendi i parkimit është i lirë. Sikundër edhe në çdo biznes tjetër edhe këtu nuk mungon konkurrenca, por me një ndryshim, rregullat janë më të forta.


Armando, një 16-vjçar, i cili ka pothuajse dy vite që merret me këtë biznes na tregon se asnjë nuk ka hyrë në territorin e mikut të tij, i cili ndan të njëjtën rruge me të. Secili ka cepin e tij të punës, ku rezervon parkime pa i rënë në hak askujt.


Madje, rregullat në këtë komunitet biznesmenësh janë më se të qarta dhe respektohen nga të gjithë. Nëse ndodh që "pronari" i konit nuk ndodhet në momentin që një shofer kërkon parkim, kolegët menjëherë do ta thërrasin për të bërë pazar. Ky është një rregull që zbatohet në mënyrë rigoroze, duke bërë që punët të ecin "vaj".


Armando na tregon se merret me këtë punë rreth 10 orë në ditë, por punën më të madhe tregon se e ka në orët e pasdites, kur kafenetë e "Bllokut" mbushen plot. "Kam disa kona të kuq që i vendos për të zënë vendin, thotë, por ndonjëherë rri edhe vet në këmbë, e pres sa të kalojë ndonjë makinë e t'i liroj vendin".


Por, ndërsa Armando ka siguruar disa konë të kuq, nga ata që përdoren shpesh nga policia, miqtë e tij që nuk kanë pasur mundësi, janë rregulluar me mjete të tjera. Dikush ka marrë disa karrige të vjetra, një tjetër ka bërë për vete pronarin e lokalit ngjitur dhe i ka marrë ndonjë karrige të vjetër, e ndonjë tjetër që nuk ka mundur të sigurojë ndonjë prej këtyre mjeteve, qëndron vetë në vendin e parkimit, shpesh dhe duke përtypur fara në pritje të klientit të radhës.


100 lekë të shpenzuara me mend


Ata që nuk e dinë se parkimi publik tashmë është kthyer në një biznes, mund të mjaftohen duke thënë faleminderit, pa i rënë ndërmend se duhet të paguajë diçka për këtë shërbim. Kjo diçka është një shumë modeste prej 100 lekësh, e cila të garanton një parkim thuajse të sigurt.


Por, edhe në raste se në kuletën tuaj të hollat nuk e arrijnë shumë e 100 lekëve, këta punonjës të devotshëm tregohen të gatshëm të thyejnë kartëmonedhat dhe t'ju kthejnë kusur.


Në rast se dikush tregohet dorështrënguar dhe thjeshtë falënderon pa dhënë kontributin modest, jo vetëm që parking nuk gjen më, por edhe makina mund t'i pësojë ndonjë incident të vogël si një gërvishtje e lehtë, ose ndonjë pasqyrë e thyer. Në këtë mënyrë, ai 100 lekësh mund të kthehet në një faturë servisi prej 15 mijë lekësh.


Por sa fitojnë këta fëmijë që rrinë pjesën më të madhe të kohës në rrugë? Gjithë koha e kaluar në rrugë i ka shndërruar në diplomatë thuajse më të mëdhenj se sa politikanët. "Po ja, fitoj diçka, sa për të shtyrë ditën", thotë njëri prej tyre.


Prejardhja


Ajo që të bën më shumë përshtypje është se këta fëmijë janë në moshë shkollore, por asnjë prej tyre nuk shkon në shkollë. Vijnë nga familje me vështirësi ekonomike dhe pjesa më e madhe e tyre i përkasin komunitet rom.


Të paguash dy herë për një parkim


Ndodh nga padituria, ndodh edhe për shkak të mungesës së informacionit, por për një vend parkimi mund të paguash dy herë. Vç këtyre parkingjeve që duhej të ishin publike, në kryeqytet ka edhe parkingje private, të licencuar nga Bashkia, ku mund të parkosh për një mijë lek të vjetra.


Por, shpesh, ndodh që ky parking të shfrytëzohet, si nga ata që kanë licencë, si nga ata që nuk e kanë. Dritani, një shofer 25-vjçar tregon se për një vend të tillë parkimi ka paguar dy herë. "Fillimisht i dhashë 100 lekë atij djalit të vogël që më gjeti vendin e parkimit, dhe vetëm pas pak minutash me afrohet roja i parkingut, i cili më thotë se është parking privat, dhe se duhej të paguaja 100 lekë për të lënë makinën aty" tregon ai.


Parkingu që përmendëm gjendet në qendër të kryeqytetit, pikërisht pas Muzeut Historik Kombëtar, por si ky ka shumë të tjerë nëpër kryeqytet, ku për shkak të një miqësie të mirë mes rojës dhe fëmijëve mund të paguani dy herë për të njëjtin vend parkimi.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›