Trafiku i drogës me Italinë, Veliko i dyshuar
Tri ditë më parë, policia arrestoi pesë persona të dyshuar për trafik heroine. Gjykata i lë në burg
TIRANË- Biznesmeni Arben Veliko, i arrestuar tre ditë më parë me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda mbi dyshimet se është pronari i drogës prej 11.8 kg heroinë të kapur në Itali, dyshohet se ka qenë pronar edhe në dy rastet e arrestimit të "korrierëve" në Shqipëri.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Drejtorisë së Policisë, të cilët sqaruan se në dy rastet janë arrestuar dhe tashmë janë dënuar personat.
Në vitin 2005 është arrestuar në kryeqytet shtetasi Besnik Brraka së bashku me tre persona të tjerë, të cilëve iu është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 5 kg heroinë. Kjo sasi droge, është dyshuar që në atë kohë se i përkiste shtetasit Arben Veliko, por gjatë fazës së hetimit të asaj dosjeje nuk u provua një gjë e tillë duke i shpëtuar prangave ndërtuesi vlonjat.
Më pas, ka qenë viti 2007 kur në Durrës është arrestuar një shtetas nga Fieri, i cili po tentonte të hipte në tragetin e linjës Durrës-Bari me 4 kg heroinë në bagazhet e tij të fshehur në makinë.
Edhe në këtë rast, prokuroria nuk arriti të identifikoi "pronarin" e mallit edhe pse dyshime kishte edhe për biznesmenin Veliko. Ndërkaq, edhe pse i shpëtoi në dy raste policisë, këta të fundit nuk ia ndanë sytë gjithë aktivitetit të tij, duke vëzhguar e përgjuar.
Përgjime këto që në dhjetor 2008 dërguan në arrestimin e dy korrierëve të dërguar nga ndërtuesi në Itali për të tërhequr sasinë prej 11.8 kg heroinë nga blerësi italian i cili nuk kishte pranuar ta paguante për shkak të cilësisë së keqe.
Me të marrë mallin dy transportuesit janë arrestuar nga Policia e Milanos të lajmëruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda duke ia sekuestruar edhe sasinë prej 11.8 kg heroinë.
Që nga ajo ditë, Policia me urdhër të prokurorisë nuk ia ndau sytë të dyshuarit Veliko në pritje të ardhjes së materialeve nga autoritete italiane dhe nisjes së ndonjë ngarkese tjetër nga të dyshuarit.
Por, me të ardhur letër-porosia nga shteti italian me vendim të Gjykatës për Krime të Rënda u arrestuan shtetasit Arben Veliko, Dritan Alias Orges Jahelezi, Panajot Dhiamandi, Sokol Kashta dhe Latimir Hoxha të akuzuar për "trafikim të lëndëve narkotike" në bashkëpunim.
Po dje, kjo gjykatë verifikoi masat e sigurisë dhënë në mungesë me "arrest me burg" për pesë të dyshuarit të cilët nuk preferuan të flasin para gjyqtares, prokurorëve dhe avokatëve mbrojtës.
Ndërkohë, autoritetet italiane bashkë me drogën e sekuestruar kanë arrestuar shtetasit Julian Kajdo dhe Eduart Toshkollari që tashmë po gjykohen në shtetin italian.