E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthim ne identitet

Leskaj: Kryeministri nuk mbulon dot premtimet e pambajtura me sulme ndaj medias

Socialistët kundërshtuan dje sulmin e radhës së kryeministrit Sali Berisha ndaj medias së lirë, vetëm për faktin se ato kanë kritikuar me të drejtë qeverinë. Valentina Leskaj, në emër të partisë më të madhe opozitare, theksoi dje se kryeministri ka dashur të dalë nga situata, duke fajësuar më kot mediat. “Deklarata e kryeministrit nuk më ka çuditur, sepse është brenda vetes. Me gjithë sforcon që përpiqet të bëjë, kjo deklaratë është kthim në identitet, që nxjerr krye sa herë që mediat kritikojnë qeverinë”, - deklaroi numri një i socialistëve në Kuvend. Valentina Leskaj, që është njëkohësisht edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias, nënvizoi se është kryeministri, ai që nuk ka realizuar premtimet e tij, e jo media ajo që gënjen. Qëndrimi i socialistëve vjen një ditë, pasi kryeministri akuzoi mediat se kishin gënjyer lidhur me mosrritjen e pensioneve, çka sipas tij do të realizohej që më datë 1 korrik. “Nuk e kanë fajin mediat që varfëria është rritur me ritme galopante, nuk e kanë fajin mediat që kryeministri nuk ka realizuar të paktën atë që ka premtuar vetë për rritjen e pagave dhe pensioneve, apo që qeveria nuk ka bërë indeksimin e pagave dhe pensioneve, i cili duhej bërë në maj, sipas ligjit të miratuar nga Parlamenti dhe vendimit të qeverisë së tij. Pozita e vështirë e kryeministrit për mosmbajtjen e premtimeve nuk mund të kalohet me sulm ndaj mediave”, - nënvizoi në deklaratën e saj kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Ajo kujtoi se qëndrimi i kryeministrit, pra akuzat ndaj medias, vijnë sa herë që qeveria e tij kritikohet. Rasti më i fundit ishte gjatë debatit për ngjarjen e Gërdecit, por edhe pas publikimit të përgjimit nga “New York Times”, një shkrim që fliste për përfitime joligjore nga tregtia e armëve. “Jo shumë larg, kohë më parë kryeministri përsëri sulmoi mediat për çështjen e Gërdecit. Kjo tregon se me gjithë sforcon, kryeministri e ka të vështirë të ndryshojë”, - rikujtoi liderja e socialistëve në Kuvend, Valentina Leskaj. Në fakt, pas 15 marsit, (dita kur ndodhi shpërthimi në Gërdec), kryeministri nuk la gjë pa thënë ndaj mediave, madje edhe ndaj gazetarëve. Sipas tij, kishte gazetarë që gëzoheshin për atë që kishte ndodhur dhe kishte mospasqyrim korrekt të ngjarjeve. Të njëjtën gjë bëri ai pak ditë më vonë, kur u publikuan nga mediat shqiptare, por edhe gazeta “New York Times” një shkrim, përfshi edhe pjesë përgjimesh, ku hidheshin dyshime për përfitime jo të ligjshme nga tregtia e armëve. Pikërisht një ditë më parë, sipas deklaratës së mbajtur dje nga kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, kreu i ekzekutivit shqiptar shprehej: “Garantoj pensionistët dhe qytetarët në ndihmë ekonomike dhe punonjësit ndaj të cilëve, për qëllime të caktuara, po ushtrohet një terror i përditshëm psikologjik mediatik, nga ata që thonë se nuk do të rritet pensioni, ose i kanë harruar gjyshet dhe gjyshërit, ose lahen në vaska floriri. Të dalësh me tituj se nuk do të rriten pensionet dhe nuk do të kompensohet rritja e çmimeve, duke huazuar fjalorin e popullit, mund të them se ky qëndrim është një hibrid i shpirtkazmërisë dhe i shpirtzisë”. Për socialistët deklarata të tilla janë të papranueshme, ndërsa në vazhdimësi, që prej ardhjes në pushtet, ata e kanë akuzuar kreun e qeverisë se ushtron presion ndaj mediave. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›