Pronari vret grabitësin e lokalit
Policia arreston autorin e vrasjes në kushtet e vetëmbrojtjes, ndërsa pohohet se ndaj tij ka rrethana lehtësuese
Ngjarja në Kashar në mesnatë, vjedhësi goditet me sëpatë në kokë. Vdes në spital
TIRANE- Pronari i lokalit plagos rëndë grabitësin në dyanin e tij, i cili vdes më pas në spitalin ushtarak. Policia arrestoi dje pronarin me akuzën e "plagosjes së rëndë në kushtet e tejkalimit të kushteve të vetëmbrojtjes", me sende të mprehta.
Përparim Madani, 47 vjeç, banues në Kodër Kamëz, mbeti i plagosur rëndë me sëpatë në kokë nga Selim Kamberi 28 vjeç, pasi mesnatën e të shtunës duke u gdhirë dita e diel, në fshatin Yrshek të Komunës së Kasharit, kur ka shkuar të vjedhë në lokalin e familjes Kamberi.
Pikërisht këtu ndaj tij ka reaguar, një nga vëllezërit e familjes Kamberi, Selim Kamberi i cili është përleshur me Madanin në ambientet e lokalit të tij, ndërsa në konfrontim fizik e sipër është goditur me sëpatë në kokë duke pësuar një çarje të rëndë.
Kjo plagë e rëndë e marrë gjatë mesnatës së të shtunës duke u gdhirë e diel, gjatë ditës së djeshme i ka shkaktuar vdekjen në spitalin ushtarak ku ai po kurohej, pas plagosjes.
Ngjarja
Mesnatën e të shtunës duke u gdhirë dita e diel, policia e komisariatit të Kombinatit nr.6 është njoftuar se në fshatin Kashar të Tiranës kishte një situatë ku një person kishte tentuar të hynte për të vjedhur në një lokal në pronësi të familjes Kamberi.
Një grup i komisariatit t Policisë së Kombinatit është nisur në drejtim të zonës, ku është njoftuar ngjarja, ndërsa njoftimi për policinë fliste edhe për një person të plagosur që ndodhej në spital dhe për këtë shkak janë dërguar efektivë policie në spitalin ushtarak.
Sapo policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, është mësuar se një person me precedentë penalë kishte tentuar të hynte për të vjedhur ndërsa kishte hasur në rezistencën e Selim Kamberit.
Ky i fundit, sipas policisë, ka nisur të përleshet me viktimën, Përparim Madani me dyshimin se ishte grabitës i armatosur dhe për këtë fakt ka marë një sëpatë në shtëpi.
Sapo ka hyrë në dyqanin e të vëllait, Kamberi ka parë se një person po mundohej të thyente, dyqanin e të vëllait dhe mënjerë ka shkuar për ta ndaluar, duke u konfrontuar me të.
Në grindje e sipër, sipas burimeve të policisë, Kamberi e ka qëlluar një here në kokë në pjesën e pasme me sëpatë. Nga plaga e marrë ai ka mbetur i plagosur rëndë dhe më pas është dërguar në spital.
Nga hetimi i kryer dhe nga deklarimet e marra, policia ka provuar se Kamberi ishte plagosur në kushtet e tejkalimit të kushteve të vetëmbrojtes dhe është arrestuar. Dy ditë pas ngjarjes, i plagosuri Përparim Madani ka ndërruar jetë në spitalin ushtarak për shkak të plagës së rëndë në kokë.
Në janar pronari i një kompleksi vrau grabitësin në dhomën e fëmijëve
Në mesnatën e 9 janarit duke u gdhirë data 10, rreth orës 02:30, dy persona të maskuar hynë në ambientet e ndërtesës 5 katëshe të kompleksit "Llanaj" në Unazën e Re, ndërsa një prej tyre u vra nga pronari i kompleksit.
Sipas policisë, pronari Feim Llanaj, qëlloi me armë zjarri Petrit Pjetrin, në dhomën e fëmijëve të tij, duke e lënë atë të vdekur. Në ato kohë u fol për dy persona por më vonë, policia pohoi se autori i grabitjes së mbetur në tentativë kishte qenë vetëm një.
Viktima është përleshur me pronarin duke mbetur i plagosur rëndë ndërsa ndërroi jetë rrugës për në Spitalin Ushtarak. Ekspertët mjeko- ligjorë dhe ata kriminalistë, konfirmuan se autori i grabitjes kishte mbetur i vdekur për shkak të përleshjes me pronarin e kompleksit ndërsa kishte marrë një plagë në kokë dhe në trup.
Fillimisht policia nuk ka mundur të identifikojë të vrarin, por pas një dite ata e kishin identifikuar atë ndërsa policia i përcolli trupin familjes. Pronari Llanaj, u arrestua nga policia me akuzën e plagosjes së rëndë në kushtet e tejkalimit të vetëmbrojtjes së nevojshme.