E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prodhimet vendase, mbajnë inflacionin nën kontroll

Pas vendimit të qeverisë për rritjen e akcizave, çmimi i alkoolit dhe duhanit ka shënuar rritje


Çmimet e produkteve ushqimore pësuan një rënie të ndjeshme, duke fiksuar inflacionin në 2.2%


Muaji korrik ka shënuar një kthesë në çmimet e ushqimeve në vend, të cilat kanë pësuar një rënie me dy për qind krahasuar më një muaj më parë. Instituti i Statistikave raporton se çmimet e mallrave dhe shërbimeve të shportës në total pësuan një rënie në masën 0.7 për qind, krahasuar me qershorin.


Inflacioni për muajin korrik arriti në 2.2 për qind, duke mbetur brenda kufijve të caktuar nga Banka e Shqipërisë. "Ndryshimi vjetor në muajin Korrik është 2.2 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.7 për qind.",- thuhet në raportin mujor të INSTAT.


Ushqimet


Produktet bujqësore të stinës kanë dhënë efektin e tyre, duke ndikuar në uljen e përgjithshme të çmimeve për këtë muaj. INSTAT raporton se indeksi i grupit "Ushqime dhe pije jo alkolike" shënoi një ulje prej 2.0 për qind, duke dhënë një ndikim në masën 0.8 për qind në uljen e përgjithshme. Brenda grupit të ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike, zarzavatet kanë përjetuar uljen më të madhe të çmimeve. Ky grup përfshirë edhe pataten ka pësuar një ulje çmimesh në masën 11 për qind.


Futja masive e prodhimit vendës ka ndikuar në uljen e ndjeshme të çmimeve, ku specat u shitën me rreth 33 për qind më pak gjatë korrikut, çmimi i domates ra me afro 31 për qind, patëllxhaneve me 23 për qind, kastravecave me 13.3 për qind, etj. Ulja e çmimeve gjatë korrikut, ka prekur edhe frutat, të cilat në total kanë qenë rreth 7 për qind më të lira.


Kështu çmimi i shalqinit është ulur me rreth 45 %, i rrushit me 23.4 për qind, pjeprit me 24.7 për qind, dardhëve me 18.4 për qind, kumbullave me 11.0 për qind, etj.
Ndërkohë që ulje të lehta kanë pësuar edhe çmimi i bukës, produkteve blegtorale, etj.


Indeksi i çmimeve të grupit të "Transportit" shënoi një rënie të lehtë në 0.1 për qind, megjithëse çmimi i naftës dhe ai i benzinës pësuan rritje respektivisht me 1.4 dhe 2.1 për qind. Këto dy mallra po përjetojnë një rritje graduale edhe gjatë muajit gusht, ku çmimi për litër po arrin deri në 130 lekë, nivel i cili nuk ishte shënuar prej shumë muajsh.


Specialistët e shpjegojnë këtë më shumë me rritjen e kërkesës së brendshme, për shkak të rritjes së numrit të automjeteve gjatë stinës së verës, sesa me konjukturën e çmimeve të karburanteve në tregjet ndrkombëtare.


Grupi i veshjeve, përfshirë këpucët thuajse nuk kanë pasur ndryshime në korrik, krahasuar me një muaji më parë. "Indeksi i grupit "Veshje dhe këpucë" shënoi një ulje prej 0.1për qind, brenda të cilit çmimi i këpucëve ulet me 0.3 për qind.",- thuhet në raportin mujor të Institutit të Statistikave.


Akcizat


Rritja e akcizave për pijet alkoolike dhe duhanin ka dhënë efektin e saj, duke u reflektuar në rritjen e çmimit të këtyre dy mallrave. Indeksi i grupit "Pije alkolike dhe duhan" shënoi një rritje prej 0.3 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 0.5 për qind.


Çmimet e paketave në treg kanë përjetuar një rritje prej 5 deri në 10 lekë. Ndërkohë ilaçet janë produktet të cilat kanë përjetuar rritjen më të madhe në vend gjatë muajit korrik.


Në total indeksi i grupit "Shëndeti" shënoi një rritje prej 1.2 për qind, ku veçohet rritja e çmimeve të medikamenteve dhe produkteve të tjera farmaceutike me 1.3 për qind. Ndërsa grupet e tjera të mallrave dhe shërbimeve kanë pësuar ndryshime mujore që variojnë nga -0.2 në + 0.6 për qind.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›