Studimi: Mozaiku i muzeut ka dëmtime të rënda
Mozaiku i fasadës së Muzeut Kombëtar është i rrezikuar. Studimi që specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe të Drejtorisë Rajonale të Tiranës kanë kryer prej dy muajsh, tregon një sërë problemesh serioze. Që nga koha e realizimit më 1981, rreth 30 vjet më parë mbi mozaikun “Shqipëria” nuk është kryer asnjë studim. Zv\ministrja Zana Turku, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Tiranës, Arbër Kadia, dhe përfaqësues të kompanive private që kanë mbështetur këtë projekt, kanë mbajtur një konferencë shtypi për të sqaruar gjendjen aktuale dhe si do të punohet më tej. Duke e quajtur një mozaik simbol për Tiranën, zonja Turku ka sqaruar se studimi është vetëm faza e parë. Në vazhdim do të hartohet një projekt që do të përcaktojë qartë pikat ku do të ndërhyhet, me çfarë materialesh do të punohet dhe kush do të jenë specialistët.
DëmtimetNjë studim i plotë, shoqëruar me fotografi, është rezultat i punës që specialistët e IMK-së dhe DRMK-së së Tiranës kanë bërë në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Drejtuesi i këtij projekti, Agron Islami dhe specialisti Klejdi Zguro, që në mbledhjen e këshillit shkencor në Institutin e Monumenteve kishin paralajmëruar për dëmtime të mëdha dhe pjesë që rrezikonin shkëputjen. Por studimi në hollësi ka vënë në pah edhe problematika të tjera. Drejtori i Drejtorisë Rajonale, Arbër Kadia, ka theksuar se “studimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse problematika që ka shfaqur ky mozaik vazhdon të na befasojë. Ne nuk kemi pasur mundësi më parë ta shohim nga afër e ta prekim me dorë. Janë rreth 440 metra katrorë mozaik që reflekton tani vështirësitë që kanë pasur më parë krijuesit e tij”. Sipas raportit, një nga problemet kryesore ka të bëjë me degradimin në një shkallë të konsiderueshme të materialit përbërës dhe lidhës, i cili për shkak të presioneve mekanike në vetë strukturën përbërëse, faktorëve ambientalë, si dhe ndryshimeve të shpeshta termike, ka arritur një shkallë të lartë degradimi. Duke u nisur po nga përbërja e tij, ky lloj materiali nuk përputhet me materialin e pllakëzave që i mbivendosen. Sipas specialistëve, ky degradim i lartë shfaqet në çarjet dhe shkëputjet e pjesëve të konsiderueshme në sipërfaqen e mozaikut, pjesë të cilat paraqesin dhe rrezik rënieje. Përpara se të ngriheshin skelat, veçanërisht në pjesët anësore të mozaikut, dalloheshin disa çarje me sy të lirë. Fotografitë e realizuara në detaje nga specialistët për këtë studim, tregojnë fare qartë shkëputjen e disa pjesëve, por edhe rrezikun që u kanoset disa të tjerave. Në të njëjtën linjë shfaqet mjaft problematike shkëputja e suportit të teserave nga shtresa e mëposhtme, duke krijuar ngritje të tapetit në disa zona e duke rrezikuar sërish shkëputjen e tyre.
Për sa i takon zgarës metalike të hekurit, në pjesët e dëmtuara ku ajo ka qëndruar e ekspozuar ndaj agjentëve atmosferikë, si rezultat i degradimit dhe shkëputjes së shtresave të cilat i mbivendosen, ka një korrozion total dhe të parikthyeshëm të metalit, fenomen i cili ka çuar në mënyrë të pashmangshme në copëzimin dhe pluhurizimin e tij. Në këto kushte, specialistët mendojnë se trajtimi kimik i tij në disa vende do të rezultonte i padobishëm. Po në këtë studim thuhet se në sipërfaqen e mozaikut hasen shpesh fraktura dhe çarje në gjatësi e gjerësi të ndryshme. Sipas specialistëve, problematike dhe shqetësuese paraqitet pjesa fundore e mozaikut, ku është vënë re një frakturë pothuajse totale në thellësi, në gjatësi e gjerësi të konsiderueshme, një shkëputje e kësaj pjese nga pjesa tjetër. “Ky është një proces i gjatë restaurimi, që kërkon kohën e duhur, si dhe specialistë të restaurimit. Do ta trajtojmë këtë monument me gjithë rëndësinë që kërkon, pa marrë hapa të shpejtë që do ndikonin në dëmtim të mëtejshëm”, ka thënë Kadia. Sipas tij, pas studimit do të duhet kohë për të hartuar një projekt të kopsitur për restaurimin. Deri më tani askush nuk mund të japë një datë fikse se kur mund të nisin punimet. Nga ana tjetër, specialistët që kanë punuar në studimin e mozaikut, kanë kërkuar edhe asistencën e specialistëve të huaj për të studiuar pjesën e materialit të teserave, apo qoftë edhe për të dhënë një mendim më shumë për mënyrën se si duhet të trajtohet ky mozaik. Mozaiku “Shqipëria” është realizuar në vitin 1981, vit i inaugurimit të Muzeut Historik Kombëtar. Autorët janë Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi.