E Diel, 1 Nëntor 2026

Bamir Topi shkel me vullnet kushtetutën, edhe pse është ngarkuar si rojtar i kushtetutës

Prej mëse një muaji Gjykata Kushtetuese është pa kryetar, pasi presidenti i republikës ka zgjedhur të mos e zbatojë detyrimin kushtetues të emërimit të kryetarit të ri, pasi përzgjedhjen do ta ketë të kufizuar mes dy gjyqtarëve, të cilët duket se s’i ka në kontroll. Mediat e Ramës marrin urdhër të mos japin deklaratën e Topit, i cili deklaron se s’ka ndërmend ta nxjerrë dekretin, të paktën deri nga mesi i shtatorit

Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi vazhdon të mos emërojë kryetarin e ri të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse është tejkaluar çdo afat i ligjit themeltar të shtetit, Kushtetutës. Prej më shumë se një muaji e gjysmë, Presidenti i Republikës ka heshtur pas papafingos politike të mazhorancës me opozitën, duke anashkaluar në mënyrë absurde dhe të pashpjegueshme propozimin e emrit për kryetar të njërës prej instancave më të larta gjyqësore të vendit. PresidentiTopi tha dje se emërimi derisa nuk është bërë deri më tani s’mund të bëhet as seancën e fundit parlamentare e cila është nesër, duke nënkuptuar shtyrjen e vendimit për në shtator, pra gjatë sesionit të ri parlamentar. 1 muaj e gjysmë ka kaluar afati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, në një kohë kur Kushtetuta ka parashikuar emërimin e kryetarit të ri, jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit të paraardhësit.
Neni 125 në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pika 4, thotë se kryetari emërohet nga radhët e Gjykatës Kushtetuese dhe me nga Presidenti i Republikës dhe merr bekimin e parlamentit. Në këtë pikë të kushtetutës thuhet po ashtu se emërimi i kryetarit duhet të bëhet brenda 30 ditëve nga mbarimi i mandatit të paraardhësit. Pra, do të thotë qartë se Presidenti i Republikës, është jashtë çdo koherence me ligjin themeltar të shtetit.
Arsyen vazhdojmë të mos e dimë, por ky është një rast i papërsëritshëm. Neglizhencë e qëllimshme apo mungesë aftësie të këshilltarëve pranë tij, sërish nuk mund të përcaktohet, por është më se e sigurt se shkelja e kushtetutës është bërë një aksion prore i presidentit. Në rastin në fjalë, mos’hapja e “tenderit”, siç shprehet rëndom entourage-i pranë presidentit, po ndodh për shkak se në kushtet aktuale kur veç dy gjyqtarë janë me mandat të plotë, e të tjerët e kryejnë detyrën për shkak të prerogativës kushtetuese të zgjatjes së mandatit deri në emërimin e të rinjve, presidenti gjendet i kushtëzuar të përzgjedhë mes tyre. Asnjëri nga emrat s’ngjan i gatshëm të negociojë “emërimin” e tij, e po ashtu as nga presidenca s’duken të gatshëm që emërimin e kryetarit ta lëshojnë kështu, pa teklif. Emërimi i një kandidature që duket se s’është krejt nën kontrollin e presidentit është jashtë logjike, prandaj edhe institucioni që është i ngarkuar të ruajë zbatimin e kushtetutës ka zgjedhur në mënyrë krejt antiinstitucionale, mosveprimin, duke na çuar kështu në një shkelje flagrante të kushtetutës. Për ta lexuar disi më mirë rëndësinë e çështjes në fjalë, mund të kujtojmë se të gjitha mediat elektronike të Edvinit u urdhëruan dje të mos e transmetonin deklarimin e presidentit të republikës, i cili i zënë ngushtë, u detyrua të pohojë se detyrimin e mandatimit të kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese ka ndërmend të mos e zbatojë tani, por aty nga shtatori, kur edhe të emërohen (në ndodhttë) 4 anëtarët e rinj. Lexohet sheshit se opozita e Edvinit ka një interes të drejtpërdrejtë për zgjatjen e status-quosë dhe vijimin e këtij mosveprimi të presidentit, prandaj edhe u investua në minimizimin e dëmit, duke mos e transmetuar sinkronin e sikletshëm që dje u detyrua të shqiptojë Bamir Topi.
Për çështjen në fjalë u prononcua dje kryeministri i vendit Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, Ilir Meta. Të dy liderët i kujtuan presidentit se zbatimi i Kushtetutës, është i pashmangshëm dhe se nuk duhet të neglizhohet apo nëpërkëmbet ligji themeltar i shtetit. “Mbi këtë temë s’mund të ketë asnjë temë, por është e drejta juaj të pyesni. Unë gjykoj se zbatimi i Kushtetutës është zgjidhja dhe detyrimi i qytetarit, i Kryeministrit, i Presidentit, i cilitdo”, u shpreh kryeministri i vendit Sali Berisha.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Kryediplomati shqiptar tha se duhet të zbatohet Kushtetuta dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›