E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta D2, tregtimi, kompetencë e ARMO-s

Tregtuesit: Kemi dyshime se po hartohen akte për të thelluar monopolin e ARMO-s në sektorin e hidrokarbureve

Berisha: Autoriteti i Konkurrencës ka të drejtë, por po punohet për përgatitjen e një skeme

Qeveria ka vendosur të mos marrë parasysh rekomandimin e Autoritetit të Konkurrencës për të shfuqizuar vendimin, i cili lejon kompaninë ARMO të jetë tregtuesi i vetëm në vend i naftës D2. Kryeministri Berisha, duke e cilësuar të drejtë këtë rekomandim, tha se vendimi synon të mos mbushë me squfur mushkëritë e shqiptarëve. Sipas tij, qeveria po punon që tregu i D2-shit të mos vihet në pozitat monopol. “Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, z. Genc Ruli, po punon dhe me autoritetin, në mënyrë që operatori i prodhimit të jetë i detyruar ta shpërndajë naftën D2 tek operatorët e tjerë, sipas përqindjeve të caktuara dhe peshës që ka në treg. Nafta D2 është importuar, por tani nuk do të ketë më import të saj”, - tha kryeministri Berisha dje gjatë mbledhjes së qeverisë. Kryeministri tha se duke nisur nga vitit 2010, në tregun shqiptar nuk do të ketë më naftë D2. Qeveria miratoi dje, gjithashtu, disa projektligje për aderimin e Shqipërisë në disa konventa ndërkombëtare për reduktimin e shkarkimeve të squfurit apo të flukseve të tyre ndërkufitare, të paktën në masën 30%, të azotit etj.

Vendimet

Qeveria miratoi në vitin 2007 një vendim, sipas të cilit importimi dhe tregtimi në Shqipëri i naftës D2 do të ndalohej nga 1 janari i vitit 2009. Por, në korrik të vitit të shkuar, qeveria miratoi një tjetër vendim, ku lejonte tregtimin e D2-shit, që nxirret nga vendburimet brenda territorit të Shqipërisë. Sipas këtij vendimi, e drejta e tregtimit të naftës së cilësisë D2 i kalon kompanisë ARMO. Në vendim parashikohet reduktimi gradual i sasisë së squfurit në harkun kohor të tre viteve, deri në vitin 2012. Por, sipas shoqatës së hidrokarbureve, ky vendim i siguron kompanisë situatë monopol në tregun e naftës D2. Kjo shoqatë ka reaguar dje nëpërmjet një letre të hapur dërguar kryeministrit, duke i kujtuar atij premtimet për heqjen e monopoleve në vend. Në letër shkruhet se pretendimet e importuesve janë konsideruar të drejta edhe nga Autoriteti i Konkurrencës. “Ne jemi vënë gjithashtu në dijeni se po përgatiten akte të tjera, të cilat do të thellojnë këtë ekskluzivitet, duke krijuar një monopol të dyanshëm, prodhim dhe tregtim në sektorin e hidrokarbureve”, - citohet në letrën e hapur të shoqatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›