Sarandë, 100 shtëpi rrezik shembjeje nga rrëshqitja e dheut
Sarandë- Pas reshjeve të fundit, banesat e një lagjeje janë në rrezik shembjeje, si pasojë e reshjeve të shumtë që kanë rënë së fundi. Në Komunën e Markatit, nga rrëshqitja janë spostuar me dhjetëra metra kub dhe’. Banesat e Ahmet Eminit dheManushaqe Myrtezait, kanë pësuar çarje të konsiderueshme të mureve dhe për pasojë janë bërë pothuajse të pa banueshme, ndërkohë që në familje të tjera janë dëmtuar stallat dhe për pasojë janë groposur të gjalla bagëtitë.
Pas ngjarjes, specialistët gjeologë të nënprefekturës që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes kanë këshilluar banorët që të mos jetojnë më brenda këtyre banesave, pasi janë të rrezikshme. Dëme të konsiderueshme kanë pësuar edhe shtëpi të tjera të lagjes Barçë. Banorët e fshatit thonë se të 100 shtëpitë e kësaj lagjeje janë të rrezikuara.
“Formacioni strukturor prej dheu të butë vendosur mbi sipërfaqe shtufi në prezencën dhe veprimin e mbingarkesave nga ujërat e ardhur përmes reshjeve kanë shkaktuar rrëshqitjendhe do të vazhdojë procesin edhe më tej,duke e bërë këtë lagje dhe banesat e ndërtuara këtu, të dalin jashtë përdorimit për jetesë”- kanë thënë specialistët.
Sipas burimeve nga komuna, rrëshqitja në këtë zonë ka qenë e pritshme, pasi edhe më parë janë bërë ndërhyrje për të minimizuar problemin që vinte nga rrëshqitja e dheut. Në vendin e rrezikut ishte ndërtuar një mur mbajtës 70 m i gjatë dhe 3 m i lartë, por duket se edhe kjo nuk solli ndonjë përmirësim. Kryeplaku i fshatit Shalës, Sadik Haruni, thotë se fshati ka vite që jeton me ankthin e rrëshqitjes.