Pronat,Bregu:Identifikohen 4 mijë hektarë troje publike
Zëdhënësja e Qeverisë, Majlinda Bregu deklaroi sot, se janë identifikuar 4 mijë hektarët e parë të trojeve publike në Ultësirën Bregdetare të Adriatikut, si dhe në brigjet e liqenit të Shkodrës dhe Ohrit, të cilat do të vihen në dispozicion të procesit të kompensimit të pronarëve. Gjatë një konference për shtyp, Bregu u shpreh se nga grupi Ad- Hoc, i ngritur për të identifikuar tokat publike në zonat turistike, që do të përdoren për kompensimin e pronarëve, janë në përfundim të procedurave të verifikimit dhe 2 mijë ha të tjerë të mundshëm në vijën bregdetare të Shqipërisë. Në këtë drejtim, ajo informoi se në ditët që vijojnë do të konkretizohet një paketë e re aktesh nënligjore, në bazë të së cilës do të shpërndahen trojet për kompensim. Çështja e kthimit dhe e kompensimit të pronave është një proces i vështirë, por jo i pamundur për këtë qeverisje, u shpreh Bregu. Në përfundim, Zëdhënësja e Qeverisë vuri në dukje se zgjidhja e këtij problemi është jo vetëm një detyrim absolut për kompensimin e shtresës së ish-pronarëve dhe një kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Europian, por ndihmon edhe në zhvillimin e ekonomisë si dhe në thithjen e investimeve në Shqipëri.