E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, KQZ-ja blen 90 mijë kode të reja sigurie



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve blen 90 mijë kode të reja sigurie për votimin e 28 qershorit. KQZ-ja ka vendosur që çështjet teknike që i takojnë procesit të ditës së zgjedhjeve t’ia besojë rezultatit të përvojës së zgjedhjeve të mëparshme. Kutitë e votimit, modeli i dhomës së fshehtë apo zarfet e sigurisë për menaxhimin e fletëve të votimit do të jenë si në zgjedhjet vendore të 2007-s. Meqenëse këto lloj modelesh kanë rezultuar të suksesshme në proceset pararendëse dhe janë të përdorshme në shumë vende evropiane, KQZ-ja do të bazohet sërish tek to për zgjedhjet e qershorit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje modelin e kutisë së votimit, të cilat do të jenë të ngjashme me ato të përdorura në zgjedhjet lokale të vitit 2007, por me kode të reja sigurie. Pavarësisht se modeli i kutive do të jetë si ai i kutive të vjetra që u përdorën në zgjedhjet lokale, kodet e sigurisë do të jenë të reja. Kodet e sigurisë që u përdorën për mbylljen e kutive të votimit në zgjedhjet lokale, edhe pse janë në gjendje në magazinën e KQZ-së, nuk do të përdoren në zgjedhjet e qershorit, pasi mund të përbëjnë rrezik për ecurinë e procesit elektoral. Për këtë arsye KQZ-ja vendosi në mbledhjen e djeshme edhe për blerjen e kodeve të reja me elemente të tjera sigurie, në sasinë 90 mijë copë.

Ndërsa sot, në mbledhjen e radhës pritet që KQZ-ja të marrë në shqyrtim dhe të miratojë projektvendimin për dhomat e fshehta të votimit si dhe të zarfeve të sigurisë. Në materialin shoqërues të përgatitur nga drejtoria përkatëse

thuhet se dhoma e fshehtë e përdorur në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore 2007, është e përbërë nga dy pjesë kryesore prej kartoni. Pjesa mbështetëse me përmasa 105 cm lartësi, 54 cm x 40 cm, përmasa syprinë dhe pjesa e fshehtë. Sipas KQZ-së, këto përmasa i sigurojnë votuesit një votim komod dhe të sigurt. Modeli i kësaj dhome të fshehtë është përdorur dhe përdoret në shumë vende dhe ka rezultuar si një nga modelet më të përshtatshme për kryerjen e procesit të votimit.

Ndërsa, sa i përket modelit të zarfeve specifike, të cilat do të përdoren për administrimin e fletëve të votimit gjatë vlerësimit dhe numërimit të tyre nga grupet e numërimit, janë parashikuar të gjitha modelet e zarfeve të sigurisë, bazuar në përvojën e proceseve zgjedhore të mëparshme. Në lidhje me dhomat e fshehta është parashikuar një tjetër lloj për sa u përket personave me aftësi të kufizuar. Për ta do të përdoret një tip dhome e fshehtë e posaçme për persona me aftësi të kufizuara, me përmasa 80 cm lartësi dhe 60 cm x 50 cm syprinë, plus pjesën e fshehtë, e cila ndihmon shumë këtë pjesë të shoqërisë në përmbushjen e të drejtës për të votuar.

385 kamera vëzhgojnë numërimin e votave

385 kamera vëzhguese dhe regjistruese do të monitorojnë procesin e numërimit të votave në 28 qershor. KQZ-ja miratoi dje në parim projektvendimin duke i hapur rrugë procesit të zhvillimit të tenderit. Në bazë të këtij vendimi, VNV-të do të jenë funksionale 40 ditë para fillimit të zgjedhjeve, pasi nis procesi i instalimit të kamerave dhe monitorëve. Në bazë të Kodit Zgjedhor, në çdo VNV ngrihen jo më pak se 5 dhe jo më shumë se 10 tavolina numërimi. Nga përllogaritjet e bëra, në të 66 VNV-të do të duhet të ngrihen 385 tavolina numërimi. VNV-të do të jenë funksionale 40 ditë para fillimit të zgjedhjeve. Përveç faktit që çdo tavolinë e numërimit të votave do të vëzhgohet nga një kamera dhe fleta e votimit do të shfaqet në monitor, jashtë qendrës së numërimit do të ketë një monitor të madh ku qytetarët do të mund të ndjekin drejtpërdrejt procesin e numërimit. Komisioni ka parashikuar marrjen e të gjitha masave që procesi të funksionojë. Është parashikuar edhe blerja e mjeteve që do të sigurojnë energjinë elektrike, në rast se ajo mund të ndërpritet.

Koçi regjistron partinë, PSV91

Partia Socialiste e Vërtetë 91 quhet formacioni politik që drejtohet nga Petro Koçi. Gjykata e Tiranës pranoi dje regjistrimin ligjor të kësaj partie, pasi e rrëzoi regjistrimin me emrin PS91. Vendimi i gjykatës i hap rrugë partisë së Koçit që të regjistrohet si forcë politike garuese në zgjedhjet e qershorit. Në mesin e muajit janar u bë i ditur vendimi i gjykatës, por duket se drejtuesit e kësaj partie nuk janë tërhequr nga ideja e hershme, duke u shtuar inicialeve të partisë vetëm shkronjën V çka e bën dalluese nga inicialet e PS-së.

Sipas shpjegimit të gjykatës, arsyeja e këtij vendimi qëndron në ngjashmërinë e emrit që ka ky subjekt politik me Partinë Socialiste. Vendimi numër 11340 i gjyqtarit Artur Gaxhi është marrë më 30 dhjetor të vitit të kaluar. Në këtë mënyrë, subjekti i ri politik i së majtës mbeti i paligjëruar dhe rrezikonte të mos përfshihej në zgjedhjet e ardhshme, nëse strukturat e partisë nuk vendosnin për ndryshimin e emrit dhe rikompozimin e statutit dhe aktit e saj të themelimit. Në vendimin e firmosur nga gjyqtari Artur Gaxhi theksohej se ka një përputhje emri ndërmjet subjektit të përfaqësuar nga Petro Koçi dhe Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›