E Diel, 1 Nëntor 2026

Prononcim i Kryeministrit Berisha, pas pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Shqipëri – Norvegji

Kryeministri Berisha, në një prononcim për mediat,  pas pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Shqipëri – Norvegji, i vlerësoi punimet e këtij forumi një sukses të plotë dhe u shpreh se ndihej i inkurajuar  nga interesi shumë i madh i  kompanive të shumta norvegjeze për të investuar në Shqipëri në fushën e energjisë.

Më gjerësisht në prononcimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Norvegjia është lideri i Evropës në energjinë ujore, është lider në botë në ndërtimin e hidrocentraleve në të katër anët e planetit. Ndërmarrja kryesore e tyre energjetike është me investimin e saj në Shqipëri, në projektin më të madh të Shqipërisë, aktualisht edhe të Evropës, Kaskadën e Devollit. Interesi ynë i madh është që kompani  të tjera norvegjeze të  marrin pjesë në ndërtimin e hidrocentraleve në vendin tonë, me të cilat Shqipëria është e vendosur të ecë drejt një të ardhmeje jeshile, drejt një zhvillimi jeshil të saj.

Unë e konsideroj një sukses të plotë këtë Workshop që u organizua këtu me kompani të shumta norvegjeze të fushës së energjisë dhe ndihem shumë i inkurajuar nga interesi i tyre, interes i cili ka filluar që dje në mbrëmje gjatë darkës që patëm, ku shumë prej tyre kanë treguar një interes të madh për kaskadat e Matit, lumenjve të Librazhdit, por edhe për kaskada të tjera. Sikundër, biseda që pata me kompaninë Statkraft, lidhur me hidrocentralin e Banjës, ishte jashtëzakonisht e rëndësishme. Statkraft hap tenderët për punimet civile në janarin që vjen, ndërkohë që ka përfunduar të gjitha studimet. Në takim diskutuam për ndërtimin e rrugës së re që lidh rrethin e Gramshit dhe i garantova që qeveria miraton së shpejt projektplanin e ndërtimit të kësaj rruge në KKRRSH dhe se është e vendosur që menjëherë të fillojnë punimet, në mënyrë që qytetarët e Gramshit të kenë një rrugë të re panoramike, ndër më të bukurat, buzë liqenit.

Ishte një interes shumë i madh i kompanive norvegjeze, por e vërteta është se këto interesa tashmë janë ekzistuese në Shqipëri, pasi janë një seri lumenjsh në të cilat shumë kompani norvegjeze po funksionojnë. E rëndësishme është se aty kishte dhe shumë bankierë mjaft të interesuar për të financuar këto projekte”.


14/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›