E Diel, 1 Nëntor 2026

Prononcim për shtyp i Kryeministrit Berisha dhe Komandantit të Komandës Supreme të Aleancës për Evropën, Gjeneralit Craddock

Sot pasdite,  Kryeministri Berisha  dhe Komandanti Suprem i Aleancës së Atlantikut të Veriut për Evropën, Gjenerali John Craddock dhanë një prononcim për shtyp, pas përfundimit të takimit mes tyre. 

Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam një takim shumë të përzemërt me komandantin suprem të Aleancës së Atlantikut të Veriut, për Evropën, Gjeneralin John Craddock. Shfrytëzova rastin për ti shprehur mirënjohjen më të thellë, për mbështetjen e fuqishme që Aleanca e Atlantikut të Veriut i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë, si dhe për ti shprehur gjithashtu mirënjohjen më të thellë qeverisë së SHBA-ve, Presidentit Bush, Pentagonit për të gjithë mbështetjen e madhe, të gjithanshme në përpjekjen tonë për të përmbushur kriteret, standardet, kërkesat, për të merituar ftesën dhe anëtarësimin e plotë në NATO. 

Unë e garantova gjeneralin Craddock se vendimi për ftesën dhe anëtarësimi janë një inkurajim tjetër i madh për ne, për të vazhduar me reformat, për të konsoliduar standardet e demokracisë dhe ekonomisë së lirë të tregut dhe për të reformuar më tej forcat tona të armatosura, për ti bërë ato aleate të denja të ushtrive të vendeve të tjera anëtare të NATO-s.

Diskutuam ndër të tjera për rajonin dhe ky ishte një rast për të shprehur të gjithë falënderimin tim, për rolin e jashtëzakonshëm që NATO-ja dhe KFOR kanë luajtur për paqen dhe stabilitetin në këtë rajon.

Diskutuam gjithashtu për situatën në Afganistan dhe e sigurova gjeneralin se Shqipëria ndjek me shumë interes zhvillimet në Afganistan dhe është e gatshme që të rrisë kontributin e saj, si në kuadër të ndihmës financiare për të ndihmuar këtë vend, por në rast nevoje edhe me njësi shtesë, me bindjen me të thellë se paqja dhe stabiliteti në këtë vend janë të një rëndësie për paqen dhe stabilitetin në botë

Gjenerali Craddock: Zoti kryeministër, ju falënderoj për mikpritjen tuaj të ngrohtë dhe bujare.  Ju falënderoj të gjithëve që ndodheni këtu sot. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të vërtetë për atë që Shqipëria ka bërë deri më sot në ndihmë të misioneve të NATO-s, si vend partner i NATO-s.

Siç folëm edhe në takimin me Kryeministrin është gjykimi ynë që Shqipëria do të jetë anëtare e vendeve që janë pjesë e NATO-s. Hedhim sytë përpara dhe presim me dëshirë që kjo të bëhet realitet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në këndvështrimin tim si Komandant i Komandës Supreme të Aleatëve për Evropën, në këndvështrimin e planit për anëtarësim, ne kemi punuar me forcat tuaja të armatosura gjatë gjithë këtyre viteve. Ne kemi parë një përparim shumë të rëndësishëm në reformat në fushën e mbrojtjes dhe në rritjen e standardeve profesionale të Forcave të Armatosura dhe dëshiroj të them se ky përparim ka qenë vërtet mbresëlënës.

Ishte rekomandimi i Komandës Supreme të NATO-s dhe i imi si komandant i saj, propozimi që iu bë Këshillit të NATO-s dhe Sekretarit të NATO-s që Shqipëria nga këndvështrimet e sigurisë dhe standardeve të sigurisë ishte e gatshme për tu anëtarësuar në NATO. Dhe ne vazhdojmë të shohim që shënohen përparime në kërkesat për anëtarësim edhe në këto momente ndërsa flasim.

Dëshiroj të shpreh gjithashtu edhe mirënjohjen tonë për pjesëmarrjen e Shqipërisë në misionin në Afganistan, që është një mision shumë i rëndësishëm. Mbështetja juaj, si në kontributin me trupa, por edhe në trajnimin e forcave afgane është me rëndësi thelbësore. Misioni më i rëndësishëm sot i NATO-s në Afganistan është trajnimi dhe përgatitja e forcave të Afganistanit që ata, të marrin përgjegjësi vetë për sigurinë  e tyre. Shqipëria po jep kontributin e saj në këtë përpjekje dhe ne dëshirojmë t’ju falënderojmë për këtë gjë. Shqipëria do të jetë anëtare me  të drejta të plota në NATO dhe ne ju përgëzojmë për këto arritje.


14/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›