Propozimet e Universitetit të Tiranës për kuotat part-time
Jonida Tashi
Më shumë se një mijë të rinj do të ulen vitin e ri akademik në auditorët e Universitetit të Tiranës për të ndjekur studimet part-time. Universiteti më i madh në vend ka përcaktuar rreth 1050 kuota pranimi për studimet e pjesshme, ndërsa në disa degë hyrja do jetë e palimituar. Kuotat do të jenë të shpërndara sipas fakulteteve. Kështu, në Fakultetin e Histori-Filologjisë do të ofrohen rreth 450 kuota të ndara në mënyrë të barabartë sipas degëve përkatëse, si Historia, Gjeografia dhe dega e Gjuhë-Letërsisë. Gjithashtu, pranime part-time të palimituara do të ofrohen dhe për degën e Biologjisë dhe në degët përkatëse të Fakultetit Ekonomik, për të cilat ndryshe nga viti i shkuar, hyrjet në to do të jenë të palimituara. Për vitin e ardhshëm studime të pjesshme do të ofrojë dhe Fakulteti i Drejtësisë, me rreth 400 kuota pranimi të propozuara nga UT-ja. Ndërsa katër fakultetet e tjerë të Universitetit të Tiranës, përkatësisht ai i Gjuhëve të huaja, Mjekësisë, Infermierisë dhe Shkencave sociale nuk do të ofrojnë studime part-time për këtë vit. Por pavarësisht se janë bërë propozimet përkatëse nga universitetet, do të jetë Ministria e Arsimit, ajo që do të bëjë miratimin e këtyre kuotave, çka do të thotë se mund të ketë dhe ndryshime. Miratimi i kuotave për studimet me kohë të pjesshme pritet të bëhet gjatë këtij muaji. Pasi të ketë mbaruar sistemimi i studentëve në studimet me kohë të plotë, do të dalë udhëzimi dhe miratimi i kuotave për sistemin part-time nga Ministria e Arsimit.
Kriteret
Dhënia e provimeve të Maturës Shtetërore do të jetë një ndër kriteret kryesore për pranimet e kandidatëve në sistemin part-time gjatë vitit akademik 2008-2009. Burimet pranë Ministrisë së Arsimit, bëjnë të ditur se pranimet në këtë cikël studimesh do të vijohen në bazë të provimeve me zgjedhje që duhet të japin aplikuesit. Ky do të jetë dhe kriteri kryesor i pranimeve në këtë cikël studimesh për të gjitha degët që do të ofrojnë part-time për vitin e ri akademik. Gjithashtu, edhe kandidatët të cilët nuk janë regjistruar në asnjë degë gjatë vitit të shkuar, ndonëse kanë dhënë provimet me zgjedhje, për të konkurruar gjatë këtij viti do të duhet t’i japin sërish këto provime. Kandidatë për ndjekjen e studimeve me kohë të pjesshme mund të jenë të gjithë ata persona që do të përfshihen në provimet me zgjedhje. Kandidatët, që nuk i janë nënshtruar provimeve me zgjedhje, gjatë këtij viti, nuk kanë të drejtë të ndjekin studimet part-time gjatë vitit të ardhshëm akademik. Aktualisht janë dërguar pranë Ministrisë së Arsimit propozimet përkatëse në lidhje me kuotat e pranimit që do të ofrojnë universitetet publike në këto degë. Specialistët e MASH-it pohojnë se kandidatët përkatës për këtë cikël studimesh duhet të përfshihen në provimet me zgjedhje, procedurë kjo që nis me plotësimin e formularit A1, ku kanë mbaruar shkollat e mesme. Të njëjtën procedurë duhet të kryejnë dhe ata kandidatë që ishin në pritje të ciklit part-time gjatë këtij viti, por që për arsye të ndryshme nuk mund të vijonin studimet. Kështu, edhe kjo kategori duhet të ketë dhënë sërish provimet me zgjedhje dhe më pas të përcaktojë se në cilën degë do të ndjekë studimet. Megjithatë, pritet që rregullorja e plotë të bëhet publike në ditët në vijim, ku do të saktësohen dhe ndryshimet e bëra në lidhje me pranimet për studimet me kohë të pjesshme.
Privatët
Studimet me kohë të pjesshëm këtë vit pritet të rihapen edhe në universitetet private të vendit. Por kushti kryesor që Ministria ka vendosur për hapjen e këtyre studimeve si për universitetet publike dhe për ato private është përshtatja e studimeve me Bolonjën. Kështu, studime me kohë të pjesshme do të kenë vetëm ato universitete që programet do t’i kenë sipas Kartës së Bolonjës. Në të kundërt, specialistët e Ministrisë nuk do t’i miratojnë. Ndryshe nga universitetet publike, ku kuotat që propozojnë universitetet i miraton MASH-i, privatët do të vendosin vetë për numrin e studentëve që do të pranohen në part-time. Kurrikulat duhet të jenë të përshtatura në atë formë që studenti të plotësojë 180 kredite për të marrë diplomën. Duke ditur që një kredit i korrespondon orëve të caktuara mësimore, universitetet duhet t’i organizojnë në mënyrë sa më efektive.
Ndërprerja
Në shtator të vitit të kaluar ministri i Arsimit dhe Shkencës urdhëroi ndërprerjen e studimeve me kohë të pjesshme në universitetet private. Të 14 institucionet u paralajmëruan se në rast se do të ofronin këtë sistem në kundërshtim me urdhrin do t’u hiqej licenca. Një masë e ngjashme u mor edhe për universitetet publike, kuotat e të cilëve mbetën pezull deri në muajin mars. Argumenti i drejtuesve të MASH-it për këtë masë ishin parregullsitë me të cilat zhvillohej sistemi me kohë të pjesshme, duke lëshuar diploma pa vlerë. Për këtë, MASH-i i kërkoi universiteteve që t’i riformulonin ato, duke përcaktuar numrin e orëve mësimore dhe kreditit për secilën. Veç kësaj universitetet, duhet të barazonin në masën 100 për qind programin mësimor me sistemin e ditës. Kjo kërkesë u bë, pasi, sipas MASH-it, nuk ishte më e pranueshme që studentët e part-time të merrnin të njëjtën diplomë me ata që ndjekin shkollën ditën, në një kohë që programi mësimor për ta ishte në raportin 50-60 për qind. Pas pothuajse një vit pushim, universitetet publike kanë pasur kohën e mjaftueshme për të riparuar programet dhe për t’i përshtatur ato sipas Kartës së Bolonjës. Madje, pjesa më e madhe e tyre kanë dorëzuar propozimet për kuotat part-time në Ministrisë e Arsimit.
Përshtatja
Pikërisht përshtatja e studimeve me kohë të pjesshme me sistemin e Bolonjës ka bërë që të ndryshojë edhe mënyra e organizmit të këtyre studimeve. Përshtatja me sistemin e Bolonjës nënkupton që edhe në sistemin part-time kreditet janë të nevojshme, ndërkohë që frekuentimi duhet të realizohet në masën 100 për qind. Gjithashtu, këtë vit, në sistemim e studimeve me kohë të pjesshme do të hiqet kufizimi për t’i ndjekur orët e mësimit vetëm gjatë fundjavës si më parë, ku çdo student i këtij sistemi duhet të ndiqte orët e mësimit çdo të shtunë dhe të diel. Sipas MASH-it, këto çështje teknike për mënyrën se si do të ndiqen studimet duhet t’i përcaktojnë vetë fakultetet. Do të jenë pikërisht këto të fundit që do të përcaktojnë një grafik të qartë me lëndët që mund të ndiqen në ditët përkatëse të javës. Një vit më parë mospërshtatja e studimeve part-time me sistemin e Bolonjës bëri që të mos hapeshin këto studime. Për këtë, MASH-i sqaron se nëse do të ketë ndonjë fakultet që do të dorëzojë kuotat e vjetra, këto kuota nuk do të miratohen, pasi nuk përputhen me sistemin e Bolonjës.
Propozimet e Universitetit të Tiranës për kuotat part-time
Fakulteti Histori-Filologji 450 kuota
Dega Histori 150 kuota
Dega Gjeografi 150 kuota
Dega Gjuhë-Letërsi 150 kuota
Fakulteti Ekonomik
Dega Administrim biznes pa limit
Dega Financë pa limit
Fakulteti i Shkencave të Natyrës
Dega Biologji Hyrje pa limit
Fakulteti i Drejtësisë 400 kuota
Dega Drejtësi 200 kuota
12 Shtator 2008