Shpallen 500 firmat më të mëdha të Europës Qendrore, listohen edhe 10 shqiptare
Ervin Koçi
Kompanitë shqiptare të biznesit, publike dhe private, kanë qenë pjesë këtë vit të renditjes ndërkombëtare të bërë mbi 500 firmat dhe kompanitë më të mëdha të Europës Qendrore. Në këtë top-listë janë renditur dhe 10 kompanitë më të mëdha shqiptare, renditje që është kryer nga grupi i konsulencës “Deloitte Central Europe”. Veç të tjerash në këtë renditje janë analizuar edhe tendencat e tregjeve të rajonit si dhe sektorët që po zhvillohen më shpejt. Europa Qendrore është një nga rajonet me rritjen më të shpejtë në botë. Por, investitorë të huaj, menaxherë fondesh dhe sipërmarrës vendës, po përballen me sfida të shumta, teksa mënyrat e vjetra të të bërit biznes po zëvendësohen me metoda të reja. Europa Qendrore ka shënuar një progres të konsiderueshëm që nga fillimi i viteve ’90, kur filloi tranzicioni drejt demokracisë, së bashku me reformat e tregut. Pothuajse dy dekada më vonë, është një nga rajonet me rritjen më të shpejtë në botë. Një gjeneratë e re, që e kujton pak të kaluarën komuniste, tashmë është rritur dhe maturuar. Shumë nga vendet në rajon janë anëtare të Bashkimit Europian dhe të tjera po presin të bëhen pjesë e këtij grupi. Norma të larta të rritjes po ndihmojnë për të balancuar efektet e ngadalësimit ekonomik në eurozonë. Investitorë të huaj, menaxherë fondesh dhe sipërmarrës vendës po përballen me sfida të shumta, teksa mënyrat e vjetra po zëvendësohen me metoda të reja. Menaxhimi sa vjen e bëhet gjithnjë e më shumë ndërkombëtar dhe kompanitë e rajonit po fillojnë të zgjerohen jashtë në garën për rritje. Renditja e 500 kompanive më të mëdha të Europës Qendrore jep ecurinë e vitit 2007 të kompanive më të mëdha në rajon.
Zhvillimi i Shqipërisë
Angazhimi i Shqipërisë gjatë vitit 2007 në zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësim në NATO ndoqi nënshkrimin e Marrëveshjes Stabilizim-Asociimit (MSA) me Komunitetin Europian (KE) në vitin 2006. Angazhimi në zbatimin e reformave u shpërblye kur samiti i “NATO”-s në Bukuresht 2008, ftoi Shqipërinë dhe Kroacinë për t’u bashkuar në aleancën perëndimore. Megjithatë problemet ekonomike vazhdojnë të mundojnë vendin. Mungesa e energjisë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2007 shkaktoi probleme shumë të mëdha, por nuk arriti të pengonte arritjen e një rritjeje mbresëlënëse prej 6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, i cili duket se do të jetë i “prekshëm” për këtë vit dhe vitin 2009. Ndërprerjet në energji duket të kenë nxitur projekte të reja në energji, të cilat së bashku me privatizimet e planifikuara e bëjnë vitin 2008 një vit të mbarë për Shqipërinë. Gjatë vitit 2007, inflacioni qëndroi brenda kufijve të vënë nga Banka e Shqipërisë, në një nivel prej 2.9 për qind, por pavarësisht politikave të rrepta monetare të vendosura, pritet që si këtë vit ashtu dhe gjatë vitit 2009 të ketë një rritje të ndjeshme në inflacion duke kapur shifrën e 4 për qind. Ndërsa papunësia ka rënë në 13.2 për qind gjatë vitit 2007.
Privatizimet
Shqipëria vazhdon ta ketë vëmendjen të përqendruar në shitjen e kompanive shtetërore, partneriteteve publike-private (PPP) dhe projekteve “green field”. Shumë reforma janë paraqitur për ta kthyer Shqipërinë në një vend më tërheqës për investitorët. Ndryshimi më i madh mori rrugë në politikën fiskale ku parlamenti miratoi një normë të re të tatimit mbi fitimin prej 10 për qind, efektive me 1 Janar të vitit 2008, krahasuar me normën e mëparshme prej 20 për qind. Përfundimi i privatizimit të Albtelekom, në vitin 2007, (proces i cili kishte filluar disa vite më parë) ishte një nga privatizimet më të mëdha të vitit. Paketa e privatizimit përfshinte licencën për operatorin e tretë të telefonisë celulare, i cili mbahet nga Albtelekom. Ky vit pritet të jetë i pasur në shitjen e aktiveve të kompanive shtetërore duke përfshirë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), Institutin e Sigurimeve (INSIG) dhe aksionet shtetërore në kompaninë AMC (një nga tre operatorët e telefonisë celulare), ndërkohë që kontrata e shitjes së shoqërisë së shpërndarjes dhe rafinimit të naftës ARMO aktualisht është nënshkruar. Shitja e këtyre kompanive duhet të ofrojë të ardhura shtesë për buxhetin e shtetit. Disa projekte PPP janë në proces negocimi me qeverinë në lidhje me ndërtimin dhe shfrytëzimin e HEC-eve të reja që do të ndërtohen në lumenjtë më kryesorë të vendit ndërkohë që termocentrali në Vlorë është në ndërtim e sipër. Shqipëria gjithashtu po përpiqet shumë për t’u bërë pjesë e rrjeteve më të mëdha ndërkombëtare të burimeve energjetike.
Cilat janë 10 kompanitë shqiptare që janë listuar në raport
Dy kompanitë e para private që kryesojnë listën e 10 kompanive shqiptare ndër 500 më të njohurat e Europës janë dy operatorët e telefonisë celulare në vend, “Vodafone Albania” dhe “AMC” (pjesë e grupit Cosmote), këto pasohen nga Albtelekomi dhe më pas vijnë KESH-i si kompani elektroenergjetike, INSIG-u ndër kompanitë e sigurimeve, “Coca-Cola Bottling Shqipëria”, “Infosoft System” si dhe disa kompani hidrokarburesh si “Taçi Oil”, “Global Petroleum”, “Mamidoil-Jetoil” etj. Të gjitha këto kompani vazhduan të kenë gjatë vitit 2007 rritje të ndjeshme në të ardhurat dhe në fitimin neto. Korporata e Energjetike Shqiptare, kompania më e madhe në Shqipëri për nga madhësia e të ardhurave, mori një goditje të madhe gjatë krizës energjetike dhe si rrjedhim rritja në importe pati një ndikim shumë të madh në rezultatet e saj financiare. Sektorë të tjerë me të ardhura të larta gjatë vitit 2007 ishin industria e naftës (nxjerrja, përpunimi, shitja me shumicë dhe pakicë), prodhimi dhe tregtimi i çimentos dhe nxjerrja e mineraleve (veçanërisht krom). Nivelet e të ardhurave në kompanitë e ndërtimit “vuajtën” kur dhënia e lejes për ndërtim u pezullua përkohësisht.
Rritja ekonomike qëndron e fortë në rajon
Një analizë e tregut, që shoqëron renditjen e 500 kompanive më të mëdha, tregon se Europa Qendrore deri tani ia ka dalë mbanë të shmangë pas-efektet e krizës së kredive sub-prime. Prodhimi i Brendshëm Bruto në rajon u rrit me 6 për qind dhe pritet që të rritet me 5 për qind këtë vit. Presione të larta inflacioniste kanë nisur të shfaqen si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve, por papunësia ka rënë dhe mungesa e fuqisë punëtore në fakt po bëhet një problem serioz. Në të vërtetë, kjo e fundit kërcënon të zhdukë një nga tërheqjet e mëparshme në rajon, që ishte krahu relativisht i lirë i punës. Renditja e 500 kompanive më të mëdha tregon ndryshime të vogla, vit pas viti, me sektorin e energjisë që vazhdon të dominojë në renditje. Rritja e të ardhurave midis gjigantëve që janë në krye, është relativisht e ngadaltë dhe vjen kryesisht nga zgjerimi i huaj ose blerjet brenda vendit. Ndërkohë, kompanitë në nivele më të ulëta të renditjes po raportojnë ritme më të larta të rritjes së të ardhurave, duke sugjeruar se janë kompanitë e vogla ato që po lëvizin më shpejt për të shfrytëzuar mundësitë që ofron rajoni. Kjo do të thotë se në vitet në vijim mund të kemi ndryshime në renditjen e 500 kompanive më të mëdha të EQ-së, pasi shumë nga këto kompani me rritje dinamike do të lëvizin lart në listë. Pavarësisht faktit që programet e privatizimit janë ende në proces në shumë vende, pesha e kompanive që janë nën kontrollin e shtetit në këtë renditje mbetet e njëjtë. Në vitin 2007 ishin 120 kompani shtetërore në renditje dhe të ardhurat e tyre përbënin një të pestën e atyre të gjeneruara nga të gjitha kompanitë në listë. Duket se qeveritë në rajon janë veçanërisht të matura në humbjen e kontrollit të kompanive të energjisë dhe infrastrukturës.
12 Shtator 2008