Propozimet pesimiste të Komisionit të Venecias: Dhe me kodin perfekt, zgjedhjet do jenë me probleme

Topalli ne Komisionin e Venecias
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, mbërriti e lumtur nga sesioni i Komisionit të Venecias. Ajo shpalli se nuk ishte gabuar me numërimin e votave të hedhura gabim. Por rekomandimet e Komisionit të Venecias janë krejt pesimiste: juristët thonë se edhe me kodin perfekt, zgjedhjet sërish do jenë problematike. Sepse ajo që ndodhi me votat e Tiranës nuk kishte lidhje me vota të hedhura gabim, por me faktin se aty ishin futur duart. Komisioni i Venecias propozon riformatimin e KQZ-së. Komisionikërkon të merret në konsideratë votimi i emigrantëve
Siç duket juristët e Komisionit të Venecias e kanë pasur shumë të vështirë që të ulen e të shkruajnë rekomandime për zgjedhjet në Shqipëri. Që në fillim të dokumentit që kanë përgatitur, theksojnë se problemet e vazhdueshme me zgjedhjet në Shqipëri, nuk zgjidhen me ndryshime në kodin elektoral. Madje edhe nëse kodi është krejt i detajuar dhe i bazuar në mirëkuptim.
Nuk ka dyshim se problemet e vazhdueshme me mbajtjen e zgjedhjeve demokratike nuk zgjidhen vetëm përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Përvoja e kohëve të fundit ka treguar se edhe kur legjislacioni elektoral është i detajuar dhe gjithëpërfshirës, ai nuk garanton zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje të plotë më angazhimet e standardet e OSBE dhe Këshillit të Europës. Kjo ndodh në mungesë të vullnetit të mirë mes aktorëve kryesorë për të zbatuar ligjin në mënyrë të paanshme dhe të drejtë, shkruajnë ekspertët e Komisionit të Venecias.
Duke lexuar më poshtë e kupton se përse janë kaq pesimistë. Kështu, kur bie fjala për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ata nuk dinë çfarë të thonë. Propozimi është që anëtarët e KQZ të jenë të paanshëm, po pranojnë se nuk ke ku ti gjesh ata në terrenin shqiptar. Në vitin 2009 propozuam që të ishte një komision bipartizan duke menduar se kjo do shtonte besueshmërinë e dy partive tek administrata zgjedhore, por zgjedhjet e vitit 2009 e 2011 treguan se një pritshmëri e tillë nuk u përmbush, shkruajnë ekspertët e Komisionit të Venecias. Por më e keqja është se njerëzit e pavarur nuk gjinden. Përpjekjet e mëparshme për të ngritur një komision jo-partizan, ashtu siç parashikohet në Kushtetutën e vitit 1998 kanë dështuar për shkak se KQZ konsiderohej si e njëanshme, thonë ekspertët. E meqë shqiptarët nuk u kanë dhënë ide si zgjidhet kjo çështje, ekspertët thonë se duhet një konsensus më i gjerë që të ketë më shumë trupa që përfshihen në përzgjedhjen e anëtarëve të KQZ, nga shoqëria civile, universitetet, gjyqësori, etj.
Në dokument propozohen më shumë grupe numërimi votash, më shumë trajnim për ta, etj.
Por më interesantja është pjesa kur propozohet se çduhet bërë me votat e hedhura gabim. Komisioni i Venecias rekomandon se Kodi shprehimisht duhet të adresojë problemin e votave të hedhura gabim. Gjithashtu, duhet një procedurë e qartë për njohjen dhe përfshirjen e votave të hedhura gabim në rezultat. Për shembull, të tilla vota duhen ndarë mënjanë dhe duhet vendosur në një zarf. Pas numërimit të votimit duhet hapur zarfi dhe numëruar edhe ato, rekomandojnë ekspertët.
Një gjë e tillë i ka dhënë krahë kryetares së Kuvendit, që thotë se kanë vepruar drejt.
Në fakt OSBE/ODIHR në raportin përfundimtar përshkroi një aksion mafioz të KQZ-së për këtë çështje, kur deklaroi se kutitë kishin mbërritur ndërkohë në KQZ para se të hartohej një akt normativ paçavurë, pa asnjë mbështetje ligjore. U numëruan vetëm disa kuti votimi, të përzgjedhura që më parë. Pamjet televizive treguan qartë se kishte ndërhyrje, se votat mund të futeshin pa problem në kuti, se kutitë i ruanin kushërinjtë e Berishës. Në fund fare Lulzim Basha rrëzoi çdo ligj matematikor e statistikor, duke shënuar një diferencë rekord me Ramën në pak vota, diferencë që nuk e shënoi kur u numëruan qindra e mijëra vota. Të dhënat e KQZ nuk u përputhën kurrë, por Kolegji Zgjedhor nuk mori kurrë përsipër të bëjë matematikë, për të përputhur votat që Ristanit nuk dihet se nga i dilnin. Në fund Kolegji, siç raporton edhe ODIHR, pranoi rezultatin në mënyrë të paligjshme, duke bërë një paçavurë ligjore dhe duke shkelur haptas një vendim që kishte dhënë më parë vetë. Kjo është arsyeja pse ekspertët e Komisionit të Venecias janë pesimistë se zgjedhjet nuk i bën Kodi. Natyrisht kjo është arsyeja pse Topalli e Berisha gëzojnë.