Propozimi bombë i KQZ-së: Do hapim të gjitha kutitë e qarkut Lezhë
Akuza e PS: Votat janë ndryshuar në Lundër, do ndiqeni penalisht për këtë krim. PS: 350 mijë vota si ndryshoni dot
Procesi zgjedhor tani duket se do hyjë në një hulli të rrezikshme, që do shtyjë pafundësisht certifikimin e rezultatit.
Pasi janë hapur dhjetë kuti votimi për qarkun e Lezhës, me kërkesë të Partisë Demokratike, janë zbuluar manipulime të mëdha.
Kjo ka shtyrë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të kërkojnë hapjen e të gjitha kutive të votimit për qarkun e Lezhës, duke deklaruar se kështu do bëjnë transparencë të plotë për këtë qark.
Ata kanë deklaruar se procesi i numërimit ka dështuar, ndaj transparencën do e bëjnë vetë në KQZ.
Për këtë arsye ata kanë kërkuar edhe nga Ministria e Brendshme informacion në lidhje me hyrje- daljet e qytetarëve.
Sipas tyre, sistemi TIMS do të faktojë se a ka pasur manipulime me votën e atyre që kanë qenë jashtë vendit.
Përfaqësuesi i PS, Genc Gjonçaj kërkoi të mësojë se ku mbështetet ligjërisht kjo kërkesë e anëtarëve të KQZ-së.
Por anëtarët e KQZ thonë se janë të befasuar nga shkeljet në dhjetë qendra votimi, ndaj kërkojnë transparencë të plotë.
Nuk dihet nëse këtë gjë do e kërkojnë edhe për qarqe të tjera, por kjo do ishte një kthesë shumë e fortë në këtë proces zgjedhor.
Diçka të tillë e paralajmëroi një ditë më parë kryeministri në detyrë, Sali Berisha, që tha se pushteti i ri i ka vjedhur votat.
Përfaqësuesi i PS, Gjonçaj akuzoi se në Lundër, ku janë vendosur kutitë e votimit të gjithë vendit, janë ndryshuar votat dhe KQZ tani po i numëron ato. Ai paralajmëroi se do ketë ndjekje penale për anëtarët e KQZ-së për këtë vendimmarrje.
350 mijë vota nuk i ndryshoni dot, tha Gjonçaj.
Vendimi për hetim të plotë të qarkut të Lezhës është miratuar me katër vota në KQZ./ep