Propozimi francez/ Pendarovski: Rusia po i keqpërdor protestat e Shkupit

Në një kohë kur Shkupi zien nga protestat kundër propozimit francez, ka reaguar edhe presidenti i shtetit të Maqedonisë, Stevo Pendarovski i cili bëri një akuzë të fortë duke thënë se Rusia po keqpërdor këto protesta për të përkeqësuar sigurinë në vend.
Ai shton se kjo nuk ka të bëjë fare me qytetarët, të cilët po protestojnë në mënyrë legjitime kundër propozimit francez.
“Ajo që di dhe marr nga autoritetet e sigurisë është se ka elementë që na vijnë nga rajoni! Maqedonia aktualisht është nën sulme hibride të intensifikuara të ngjashme me nivelin që kishim në vitin 2018. Palët e treta, konkretisht Federata Ruse, po keqpërdorin faktin se qytetarët po protestojnë në mënyrë legjitime kundër propozimit francez”, tha Pendarovsi në një intervistë për Tv21.
Prej ditësh protestat në Shkup kanë qenë të dhunshme kundër propozimit francez, pasi sipas tyre nuk njeh gjuhën dhe historinë maqedonase, ndërsa për shkak të festës së Kurban Bajramit i kanë shtyrë protestat për 11 korrik.
Në një kohë kur qytetarët refuzojnë pranimin e propozimit francez, faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje politikës maqedonase ta pranojë atë si një mundësi të mirë për vendin për të ecur para me integrimin.
/rtsh.al/