E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozimi i Vatikanit për daljen nga kriza globale

25-10-2011 / Nga Ilirian Dahri

Nisur edhe nga kriza e rëndë ekonomike që ka prekur ekonominë globale, Selia e Shenjtë ka kërkuar krijimin e një Banke Qendrore Botërore dhe ngritjen e një takse të transaksioneve financiare për të krijuar një “rezervë botërore, për të mbështetur ekonomitë e vendeve të goditura nga kriza, por që në të njëjtën kohë të rregullojë sistemin monetar dhe financiar”. Dokumenti i paraqitur në Vatikan dhe i hartuar nga Këshilli Papnor i Drejtësisë dhe Paqes padyshim i sugjeruar nga enciklika e Papa Benediktit XVI "Caritas in veritate", është prezantuar me titullin “Për një reformë të sistemit financiar dhe monetar ndërkombëtar në perspektivën e një autoriteti publik me kompetenca universale”. Në të njëjtën kohë në këtë dokument duket qartazi se Selia e Shenjtë ka humbur “besimin” tek Fondi Monetar Ndërkombëtar i cili sipas këtij dokumenti “ka humbur një karakter thelbësor për stabilitetin e financës botërore, atë të rregullimit të krijimit komplesiv të monedhës dhe mbi kujdesin e rreziqeve të borxheve që ka marrë përsipër sistemi”. Nga ana tjetër duket se Selia e Shenjtë nuk është dakord që të vendoset - siç po ndodh këto vitet e fundit - “politika ekonomike dhe financiare brenda grupeve të vendeve më të zhvilluara” duke cituar G7 apo edhe G 20 sepse “nuk duket se respektohet plotësisht parimi i përfaqësimit, sidomos i vendeve më pak të zhvilluara apo emegjente” kur mungojnë rregullat e nevojshme për menaxhimin e tregjeve financiare globale. Duket se propozimi që vjen nga Këshilli Papnor i Drejtësisë dhe Paqes flet qartazi për krijimin e një Banke Qendrore Botërore në mënyrë që kjo bankë “të rregullojë fluksin e sistemit të shkëmbimeve monetare” në mënyrë që të “rizbulojë logjikën bazë të paqes, koordinimit dhe mirëqenies të përbashkët që sollën edhe Marrëveshjet e Bretton Woods, për të dhënë përgjigje të sakta për çështjet aktuale”. Më tej në dokument flitet se “do të ishte shumë e dobishme për zhvillimin global duke u mbështetur në parimet e drejtësisë sociale dhe të solidaritetit; që mund të kontribuojë në krijimin e një rezerve botërore, për të mbështetur ekonomitë e vendeve tashmë në krizë”. Gjithsesi polemikat nuk kanë munguar edhe në konferencën e shtypit të organizuar me rastin e paraqitjes së këtij dokumenti. Pyetjeve të gazetarëve i janë përgjigjur kardinali Peter Turkson, President i Këshillit Papnor, sekretari Mario Toso dhe prof. Leonardo Beketi docent i Ekonomisë Politike të Universitetit të Tor Vergatës. Kardinali Turkson ka përcaktuar qartë interesat e krerëve të Vatikanit duke u përgjigjur se: “Ati i Shenjtë dhe Selia e Shenjtë ndjekin këto çështje me një kujdes të veçantë, duke inkurajuar vazhdimisht jo vetëm një aksion të përbashkët por një aksion të bazuar në një vision të qartë në të gjitha aspektet ekonomike, sociale, kulturore dhe shpirtërore”. Më tej imzot Toso ka përcaktuar si “shumë original” dokumentin e Vatikanit duke propozuar krijimin e një “Autoriteti publik me kompetencë universale” sepse sipas tij “Shtetet që përbëjnë G20 nuk mund të konsiderohen si përfaqësues të të gjithë popujve. Edhe pse i zgjeruar, G20 – që tashmë dihet, nuk bën pjesë në OKB – është gjithnjë një forum informal dhe i kufizuar dhe nga ana tjetër po dëshmon se po humbet efikasitetin. Aktualisht, G20 i mungon legjimiteti dhe mandati politik nga ana e bashkësisë ndërkombëtare”. Ndërsa prof. Beketi ka theksuar se “ Po marr disa shembuj, shumë konkretë: kriza e thesarit amerikan, siç dihet, është një problem për kursimet e të gjithë botës por mbi të gjitha për Kinën që ka investuar një pjesë të madhe të rezervave në atë vend. Falimentimi i Greqisë është një problem për bankat franceze dhe ato gjermane që kanë investuar fuqishëm në atë vend. Varfëria botërore, në botën globale, shndërrohet në një problem për të gjithë”.  Në mbyllje prof. Beketi ka nënvizuar se: “Kisha nuk e ka humbur kurrë vëmëndjen dhe shikimin drejt njeriut dhe problemeve të tij. Dikush tjetër ndërkaq e ka bërë dhe kanë lindur problemet që lindën. Pastaj, ekziston momenti i protestës dhe ai i propozimeve dhe propozimet po lindin gjithandej: dhe ky është propozimi ynë”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›