E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të përmirësohet Kodi Zgjedhor, partitë politike të nisin punën”

25-10-2011 / Gazeta 55

Reforma Zgjedhore, delegacioni i OSBE dhe Komisionit të Venecias, jep rekomandimet e para
 
Komisioni i Venecias dhe ODIHR filluan dje bisedimet me autoritetet dhe forcat politike si bazë për të hartuar rekomandimet përkatëse për përmirësimin e legjislacionit dhe praktikave elektorale të Shqipërisë. Këto rekomandime janë kërkuar nga Thorbjørn Jagland, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, me qëllim shmangien në të ardhmen të krizave politike, si ajo që pasoi zgjedhjet lokale të 8 majit të si-vjetëm.
Një delegacion i përbashkët i Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it mbërriti dje paradite në Shqipëri, për të dhënë rekomandimet e tyre në lidhje me ndryshimet në reformën zgjedhore.
Delegacioni i Komisionit të Venecias përbëhet nga 5 anëtarë: Thomas Markert, sekretar i Komisionit të Venecias, ekspertët e Komisionit të Venecias Pieter Van Dijk, Oliver Kask, Konrad Olszeëski, Pierre Garrone, shef i divizionit të zgjedhjeve. Ndërsa delegacioni i OSBE/ODIHR përbëhet nga 3 anëtarë: Armin Rabitsch, këshilltar i lartë zgjedhor, Richard Lappin, këshilltar zgjedhor, Marianna Skopa, eksperte Ligjore. Fillimisht delegacioni u prit në një takim nga zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.
Në një konferencë të përbashkët me kryediplomatin shqiptar, sekretari i Komisionit të Venecias Thomas Markert, deklaroi se “ndodhet në Shqipëri për të dhënë rekomandime, ndërsa shtoi se do të kenë takime me krerët e shtetit, përfshi këtu takim edhe me përfaqësuesit e PS”.
“Detyra jonë është që të bëjmë rekomandimet për të ardhmen dhe jo vlerësime për të kaluarën. Ne kemi shumë takime sot me përfaqësues të institucioneve të larta dhe partive politike gjithashtu. Nuk dëshiroj të jap sot detaje të mëtejshme për këto takime, por nesër pas tyre do të shprehemi. Por, dëshiroj të them që këtu jemi së bashku me përfaqësues të OSBE-ODHIR-it dhe rekomandimet nga këto organizata do të analizohen në opinionin e përbashkët që do jepet. Opinioni formal i Komisionit të Venecias, do të adoptohet në takimin e ardhshëm të këtij Komisioni më 16-17 dhjetor. Do të ftojmë përfaqësues të Shqipërisë në këtë sesion. Është e rëndësishme për të pasur këtë dialog tani para adoptimit të këtij opinioni dhe pastaj për të vazhduar më tej”, u shpreh Markert.
Në mbyllje të takimeve me përfaqësuesit politikë, sekretari i Komisionit të Venecias, Thomas Markert, do të dalë në një konferencë për shtyp, për të informuar mbi detajet e takimeve dhe rekomandimet zyrtare të Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it. 
 
Berisha, Markert: Ekspertiza e Venecias, garanci për reformën zgjedhore
Kryeministri Sali Berisha tha dje në takimin e zhvilluar me delegacionin e Komisionit të Venecias dhe të OSBE/ODIHR, i cili kryesohej nga Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit të Venecias Thomas Markert, se ekspertiza e dy organizatave është një garanci për arritjen e objektivave, në hartimin e reformës zgjedhore sipas standardeve ndërkombëtare. Berisha vlerësoi në veçanti Opinionin e përbashkët të Kodit Zgjedhor, të bërë nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias, si dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2011, si një udhërrëfyes i pazëvendësueshëm për reformën zgjedhore në Shqipëri.
Kryeministri e siguroi delegacionin e Komisionit të Venecias dhe të OSBE/ODIHR për gatishmërinë e mazhorancës për të filluar menjëherë reformën zgjedhore, me qëllim adresimin e rekomandimeve, me vullnet të mirë politik, konsensus, gjithë përfshirje dhe transparencë.  Ai gjithashtu shprehu shpresën se i njëjti vullnet dhe gatishmëri do të tregohet edhe nga opozita për arritjen e këtij objektivi të rëndësishëm, në trajtimin e 12 prioriteteve të Komisionit Evropian.
Gjithashtu, kryeministri vlerësoi se adresimi i rekomandimeve në këtë frymë është rruga më e mirë për sjelljen e Kodit Zgjedhor në standardet më të larta të përcaktuara nga OSBE dhe Këshilli i Evropës.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit të Venecias z. Thomas Markert vlerësoi gatishmërinë e mazhorancës për të bashkëpunuar dhe për të pranuar jo vetëm vlerësimet dhe rekomandimet e bëra në proceset e kaluara zgjedhore, por edhe për të përfshirë në reformën e ardhshme kontributin dhe ekspertizën e dy organizatave.
Përfaqësuesit e OSBE/ODIHR falënderuan Kryeministrin për vlerësimin e bërë prej tij për vëzhgimin që kjo organizatë u ka bërë zgjedhjeve në Shqipëri dhe rekomandimet e bëra, bazuar në gjetjet e konstatuara gjatë vëzhgimit. Ata siguruan se do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre për reformën  e ardhshme, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve më të mira teknike që shohin drejt të ardhmes, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
 
Topalli, Markert: Reforma Zgjedhore, në kalendarin e punimeve të Kuvendit
Kryetarja  e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në takim delegacionin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe ODIHR, delegacion i kryesuar nga Sekretari i Komisionit të Venecias, Thomas Markert. Topalli falënderoi Komisionin e Venecias dhe ODIHR-in për ndihmën dhe mbështetjen gjatë viteve të fundit, në hartimin e ligjeve të rëndësishme, të Kushtetutës, të çështjes së imuniteteve dhe veçanërisht përsa i përket reformës zgjedhore. Takimi u fokusua në punën për reformën e ardhshme zgjedhore. “Puna për reformën zgjedhore duhet të nisë sa më parë. Që në fillim të këtij sesioni parlamentar, ftesa ime si Kryetare e Kuvendit ka qenë e hapur për të nisur nga puna pa humbur kohë. 53 rekomandimet e ODIHR-it janë reforma zgjedhore. Mazhoranca është shprehur e gatshme, jo vetëm të nisë nga puna në një komision të përbashkët parlamentar, por edhe të japë votën e saj për propozimet e opozitës, të bazuara në rekomandimet e ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, pas verifikimit nga këto të fundit. Reforma zgjedhore është gjithnjë në kalendarin e punës së Kuvendit dhe shpresoj qe opozita t’i përgjigjet sa më parë ofertës për të ngritur Komisionin ad-hoc për reformën zgjedhore”.
Duke ndarë të njëjtin mendim me Kryetaren e Kuvendit, zoti Markert tha se “reforma zgjedhore është një proces parlamentar që duhet të bëhet përmes një komisioni parlamentar”. “Puna për këtë reformë duhet të nisë sa më parë”, tha ai.
Me tej, kryetarja e Kuvendit, duke falenderuar Komisonin e Venecias për Opinionin lidhur me ligjin për imunitetet theksoi se, “jemi të gatshëm që sa më parë të votojmë ligjin për imunitetet, dhe shpresojmë që opozita të japë votën e saj, bazuar në opinionin e dhënë nga Komisioni i Venecias”.
 
Haxhinasto: Rekomandimet e ndërkombëtarëve, plan pune për mazhorancën dhe opozitën
Gjatë konferencës së përbashkët kreu i diplomacisë shqiptare, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, tha se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, do të jenë pikë reference për Reformën Zgjedhore. Ai shtoi se bashkëpunimi për këtë reformë do të vazhdojë. “Folëm për të ardhmen, për bashkëpunimin për sa i takon zbatimit të rekomandimeve të raporteve të ODIHR-it për zgjedhjet. Këto rekomandime do të jenë pika jonë e referencës për Reformën Zgjedhore në të ardhmen, të cilën e kemi konceptuar si një proces të hapur, një proces që bëhet në kohën e duhur, i cili adreson pikërisht këto rekomandime. Kam gjetur mirëkuptimin e plotë nga përfaqësuesit e Komisionit të Venecias dhe të ODIHR-it, që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen me qëllim që Shqipëria të jetë modeli i standardeve më të larta për organizimin e zgjedhjeve”, u shpreh ai.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›