Propozimi i Withersit për Musine Kokalarin
Gjirokastër
Shtëpia e lindjes së shkrimtares disidente, Musine Kokalari mund të kthehet në muze, duke pasur në qendër, pikërisht, atë dhe veprimtarinë e saj. Ideja është hedhur prej ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers.
Në turin e tij treditor në qytetin e Gjirokastrës, diplomati amerikan ka vizituar shtëpinë e lindjes së Musine Kokalarit, tashmë një objekt i braktisur. Withers ka vlerësuar figurën dhe kontributin e shkrimtares me fat tragjik, ndërsa sugjerimit të të afërmve për të kryer një sërë ndërhyrjesh të nevojshme në gjendjen fizike të godinës, ambasadori amerikan i është përgjigjur me idenë e kthimit të saj në muze.
"Kjo shtëpi mund të kthehet në një muze, një muze që do të ketë në qendër të vet figurën e Musine Kokalarit dhe gjithë veprimtarinë e saj", është shprehur Withers.
Vetëm dy ditë më parë, ambasadori amerikan nënshkroi dhënien e fondit prej 48 mijë dollarësh, për një sërë ndërhyrjesh që do të kryhen në disa prej ambienteve të Galerisë së Arteve "Gjin Zenebishi" në kështjellën e qytetit. Ky fond ishte akorduar nga buxheti i ambasadorit për vitin 2009, ndërsa diplomati amerikan gjatë qëndrimit në Gjirokastër ka vlerësuar, veç arkitekturës e trashëgimisë, edhe folklorin shqiptar.
"Kurrë më parë nuk kisha parë një folklor të tillë. Qyteti juaj është i pasur me kulturë, histori dhe letërsi. Çdo qytet në botë do ta kishte zili një fakt të tillë, prandaj unë ndihem këtu (Gjirokastër) si në shtëpinë time", është shprehur John L. Withers, ambasadori i SHBA-së në Tiranë.