E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-Prokurorisë: Kërkesë në Kuvend për imunitetin e Mediut

PS kërkon heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut me qëllim hetimin në themel të tragjedisë së Gërdecit

TIRANË - Partia Socialiste ka risjellë dje në vëmendjen e opinionit publik tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, i ka kërkuar publikisht, organit të akuzës, që të depozitojë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut.


"I bëjmë thirrje Sali Berishës të shprehë qartë, pa ekuivokë dhe larg çdo deklarate demagogjike, gatishmërinë e tij për të hequr imunitetin e Ministrit Fatmir Mediu, si dhe të ndalojë çdo formë presioni apo joshjeje ndaj Gjykatës dhe Prokurorisë.


I bëjmë thirrje Gjykatës së Lartë të zbardhë menjëherë vendimin për pushimin e çështjes ndaj Fatmir Mediut dhe njëkohësisht nxisim me forcë Prokurorinë e Përgjithshme të depozitojë menjëherë në Parlament kërkesën për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Fatmir Mediu, duke i hapur kështu rrugë hetimit në themel të tragjedisë së Gërdecit",- tha ai.


Tahiri theksoi se, tragjedia e Gërdecit nuk është një ngjarje e arkivuar në librat e historisë, por përkundrazi, një ngjarje aktuale, pasojat e të cilës nuk i vuajnë vetëm ata që kanë humbur fëmijët, prindërit, familjarët apo pasurinë, por të gjithë shqiptarët e ndershëm.


"Tragjedia e Gërdecit është simboli më elokuent që dëshmon, se si shteti mund të shfrytëzojë deri në vdekje fëmijë, gra, burra e të moshuar. Sesi Qeveria, nga Kryeministri e deri të ministri më i fundit, mund të korruptohet deri në vrasje.


Sesi aparati administrativ, që mbahet me taksat e qytetarëve, mund të kthehet në makinerinë e shërbimit për sipërmarrjen më mizore e mafioze. Sesi drejtësia, për paaftësi a korrupsion, mund të kthehet nga një instrument për të dhënë drejtësi në një pretekst për të mbrojtur fajtorët",- tha ai.


Tahiri shtoi se, "Sali Berisha strehon Fatmir Mediun, një të kërkuar për vrasjen e 26 qytetarëve të pafajshëm, duke e punësuar për ministër, ndërkohë që edhe sipërmarrësi më i vogël i Republikës, një person me të tillë akuzë, nuk do e kishte punësuar as për kamerier.


Familjarët e viktimave të Gërdecit, pasi e paguan një herë me çmimin e vdekjes tragjedinë e Gërdecit, tashmë me taksat e tyre i paguajnë edhe rrogën Fatmir Mediut, atij që Sali Berisha e imponoi si Ministër".


Çdo dështim i ardhshëm apo hezitim për të vepruar nga Gjykata e Lartë apo Prokuroria e Përgjithshme, sipas tij, vlen të konsiderohet si bashkëfajësi për të fshehur drejtësinë e për të amnistuar Fatmir Mediun pas artificave ligjore tërësisht të kapërcyeshme.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›