Çeku: Abuzimet të rregullohen vitin tjetër
Bode kundërshton kreun e KLSH-së për përfshirjen në buxhetin e ardhshëm të shumës së dëmeve që duhen paguar
TIRANË- Kryetari i KLSH-së, Robert Çeku, i kërkon Ministrisë së Financave që të shtojnë në buxhetin e vitit 2010 edhe shumën prej 1.5 miliardë lekësh, dëm i shkaktuar si pasojë e arbitraritetit të administratës shtetërore gjatë vitit të shkuar.
Sipas Çekut, krahas arkëtimit në buxhetin e vitit të humbjeve të shkaktuara duhen gjetur mekanizmat që të dënohen shkaktarët për të mos u mjaftuar vetëm me vërejtje për largim nga puna. "Duhet të gjejmë një mënyrë për këta që kanë shkelur ligjet e shtetit të paguajnë për dëmin që i kanë shkaktuar buxhetit.
Nuk mund t'i lemë kështu thjesht me rekomandimet e KLSH me vërejtje apo me propozimet që mund të bëhen për largim nga puna. Këta duhet të mësojnë të zhdëmtojnë arkën e shtetit. Ka ardhur një kohë që gjendja duhet të ndryshojë", - tha ai.
Por, kërkesa e tij hasi në kundërshtimin e ministrit të Financave, i cili theksoi se është e pamundur që këto para të përshihen menjëherë në buxhetin e vitit pasardhës. Për sa i përket kërkesës për dënimin e shkaktarëve të dëmeve në buxhet, Bode theksoi se ajo është një çështje që i përket gjykatës dhe se në serë çështjesh që janë dërguar atje nuk kanë përfunduar me rezultate konkrete.
Në lidhje me këtë, Ceku e ka cilësuar sistemin gjyqësor në Shqipëri si të korruptuar dhe se duhen marrë masat për reformimin e tij. Sipas tij, edhe ngritja e një gjykatë Administrative nuk do të zgjidhte gjë për sa i përket problemeve të biznesit. "Mendoj se ngritja e një gjykate të tillë nuk do të ndikonte në përmirësimin e situatës. Është më mirë që më parë të reformojmë këtë që kemi", - tha ai.