Vadiste bahçen, vdes nga korrenti 41-vjeçarja, në gjendje të rëndë i biri
LUSHNJË- Një 41-vjeçare ka ndërruar jetë e goditur nga rryma elektrike, ndërsa është në gjendje të rëndë djali i saj 14-vjeçar. Hasime Dervishi, banore e fshatit Grabian në komunën me të njëjtin emër në rrethin Lushnjë, ka gjetur vdekjen në përpjekje për të vaditur një bahçe të vogël me perimore të stinës, bahçe e ngritur në themelet e një godine të re shtëpie, që pritej të ndërtohej për t’u strehuar ajo dhe familja e saj.
Për të shpëtuar nënën e tij e për t’i dhënë asaj ndihmën e parë, ka shkuar edhe fëmija, djali i saj i madh 14-vjeçari Orjon Dervishi. Por edhe atë e ka kapur korrenti dhe aktualisht ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Skena e ngjarjes është parë nga djali i vogël 6-vjeçari L. Dervishi. Ky i fundit ka shkuar te fqinjët dhe ka kërkuar ndihmë.
Dëshmia
Fqinjët e saj kanë shkuar në vendngjarje, pasi kanë hapur portën e shtëpisë, ata kanë gjetur të rënë pa ndjenja gruan 41-vjeçare, nënë e dy fëmijëve. “Kuptuam se ajo ishte e goditur nga rryma elektrike. Kjo pasi pamë disa kabllo elektrik të zhveshur në tokë. Stakuam rrjetin elektrik dhe u përpoqëm që t’i jepnim ndihmën e parë asaj dhe djalit. Por gruaja nuk reagonte. Ndërsa djali me përpjekjen tonë filloi të reagonte pak” tregoi njëra prej dëshmitarëve në vendngjarje, Pavlina Manka. Sipas saj, me një automjet u dërguan në spitalin Lushnjë të dy të prekurit nga ngjarja, si 41-vjeçarja ashtu dhe djali i saj. Djali në gjendje tepër të rëndë shëndetësore u dërgua prej bluzave të bardha në drejtim të Spitalit Ushtarak në kryeqytet, për ndihmë të specializuar, ndërsa nëna e tij kishte mbërritur e pajetë në këtë spital. Ajo kishte ndërruar jetë qysh në vendin e ngjarjes.
Situata
12 orë pas ngjarjes së rëndë, në familjen Dervishi u hap zia. Familja jeton në një gjysmë shtëpi, gati në të shembur, në kushte tepër të rënda ekonomike. Kryefamiljari, bashkëshorti i viktimës, Pëllumbi, ka provuar emigracionin në shtetin fqinj Greqi. Por për shkak të papunësisë atje është rikthyer sërish në fshatin e tij të lindjes në Grabian. Familja të ardhurat ekonomike i ka kryesisht nga prodhimet bujqësore, por edhe këto shumë të pakta. Për të ndihmuar sadopak familjen, gruaja 41-vjeçare Asimeja, kishte mbjellë perimore dhe bishtajore në themelin e shtëpisë së re që pritej të ndërtohej. Ndërsa përpiqej t’i vadiste këto perime nëpërmjet një tubi llastiku, që merrte ujë nga një pus ku ishte vendosur një pompë e vogël elektrike, ajo ra nën efektin e rrymës elektrike, për shkak se një kabllo elektrike që furnizonte pompën, ishte e zhveshur në pjesën e fundit të saj. Policia nga ana e saj pasi shkoi në vendngjarje dhe kreu ekspertizën përkatëse, rezultoi se ngjarja kishte ndodhur për shkaqe pakujdesie. Në pasditen e së premtes gruaja u varros në varrezat e fshatit Grabian. Ndërsa njëri prej djemve është në spital në kryeqytet. Djali i dytë i saj, vogëlushi 6-vjeçar, është mbajtur larg ngjarjes, duke mos e marrë ende vesh tragjedinë që i ndodhi nënës dhe për pak vëllait të tij.