E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e PS-së, në grevë edhe Elsa Lila

Nga dje në mesditë, këngëtarja e njohur Elsa Lila, i është bashkuar grevës së urisë.
"Po hyj në grevë urie me dëshirën time të lirë"


"Do shkoj të bashkohem me Shegën, me Oltën, Ledin, Florën, Mozën, Ermonelën, Fatmirin"

TIRANË- Nga dje në mesditë, këngëtarja e njohur Elsa Lila është grevistja e 203-të në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" përballë kryeministrisë. "Vëllezër dhe motra unë tani po iki do shkoj të bashkohem me Shegën, me Oltën, Ledin, Florën, Mozën, Ermonelën, Fatmirin dhe me gjithë shqiptarët e ndershëm.


Që në këtë moment po hyj në grevë urie me dëshirën time të lirë",- tha Elsa Lila para protestuesve të mbledhur dje ne mesdite ditën e 9 Majit, që njihet si Dita e Europës. Më pas, Lila është futur në çadrën ku qëndrojnë mbi 200 grevistë, për tu bashkuar me ta në emër të transparencës së zgjedhjeve.


Qëllimi


"Për ata që nuk më shohin, por vetëm më dëgjojnë unë jam Elsa Lila. Mbaj në xhep një pasaportë europiane të republikës së Italisë, banoj në Romë, me profesion jam artiste dhe këndoj. Jam një qytetare që ashtu si qindra mijëra bashkëqytetarë të mi, të tutë, të të gjithëve neve jam larguar nga ky vend dhe kam lenë shpirtin dhe zemrën në këtë vend. Një shpirt dhe një zemër që e do ndryshe këtë vend, që e do Shqipërinë si Europa",- tha Lila para protestuesve, pak minuta para së të futej në grevën e urisë.


"Mbrëmë në darkë isha në çadrat e grevës së urisë shkova përqafova gra dhe burra krenarë dhe të fortë që më bën krenarë për vendin tim, që më dhanë shpresë për të nesërmen e vendit tim, që më dhanë bindjen se ky vend i dashuruar nga rilindësit, është i destinuar të rilindë.


Ashtu siç rilindi nga gërmadhat e vitit '44 kur rilindi kur luftoi me nazifashzimin. Ashtu si rilindi nga gërmadhat e vitit '90, kur luftoi për lirinë. Ashtu siç do të rilindë pa diskutim sot dhe nesër në luftën e pandërprerë për demokraci europiane, ashtu siç është i destinuar çdo popull të rilindë nga dhembjet e tij, sepse çdo popull është i pavdekshëm",- tha dje Lila.


E larguar nga Shqipëria që në moshë të re, tashmë e rritur e bërë një grua e fortë, Lila u shpreh se ajo është Shega, Olta, Elisa, Ledi, Ermonela, Anila apo Mimoza, dhe çdo grua tjetër që e do ndryshe Shqipërinë. "Unë erdha në Shqipëri sepse e ndjej që ky bulevard është shtëpia ime, është prona ime e shenjtë, është prona e shenjtë e qytetarisë.


Ky bulevard ku ndodhemi tani, është sot Shqipëria e të gjithë shqiptarëve të ndershëm, por trupin, mendjen dhe shpirtin e kanë këtu pas meje tek këto çadra që mbajnë brenda sakrificën sublime, tek këta njerëz të fortë që më bënë të besoj fort se Shqipëria ime, Shqipëria jote, Shqipëria jonë e përbashkët është shumë e madhe për të rënë në gjunjë, sepse Shqipëria jonë e përbashkët është shumë e madhe për të qëndruar kokulur.


Sepse Shqipëria ime është shumë e madhe për tu ndarë majtas edhe djathtas. Sepse Shqipëria ime, Shqipëria jote, Shqipëria jonë është djep edhe varr, është nënë edhe atë, është e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja jonë e përbashkët. Si bijë, si motër dhe si nënë nesër, sot dua ti drejtohem burrave të fortë të këtij vendi.


Bëni çfarë të bëni, por kujdes se çfarë bëni", - tha ajo, duke shtuar se liria dhe demokracia nuk janë një plaçkë, që tregtohen me tollonë nga zyrat qeveritare. "Liria dhe demokracia është e drejta natyrore e një populli që ka të drejtë të jetojë në liri dhe nuk mund të qëndrojë përjetësisht e mbyllur në kuti të kyçura me çelësa pushteti.


Si bijë, si motër dhe si nënë nesër, sot dua të kujtoj se Europa e lirisë dhe demokracisë ngrihet mbi këto dy themele, ngrihet mbi sakrifica të panumërta evropiane, mendjendritur dhe shpirtfort.


Edhe kjo sakrificë mbinjerëzore që po ndodh këtu në këtë bulevard nga qytetarë të lirë të Europës është një gur më shumë në themelet e vetë
Europës së lirë dhe demokratike",- tha ajo. Për këtë arsye, ashtu siç u shpreh edhe vetë ajo, Elsa Lila kërkon të jetë një zë më shumë në korin e madh të lirisë, pasi sipas saj, sot ka ardhur ora e qytetarit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›