Elisa Spiropali: Është koha që Berisha të largohet me dinjitet e jo me turp

Gjendja shëndetësore e Elisa Spiropalit është renduar dje teksa opozita po zhvillonte protestën në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Një tjetër grevist, Kujdesim Basha, u transportua dje për në spital.
TIRANË- Gjendja shëndetësore e Elisa Spiropalit është rënduar dje teksa opozita po zhvillonte protestën në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Protesta u ndërpre për disa minuta, pasi rreth orës 11.30, Spiropali u dërgua me urgjencë në Spitalin Infektiv, në qendrën Spitalore "Nënë Tereza", ku ambulanca që e transportonte atë kaloi përmes turmës të përkrahësve të opozitës. Elisa Spiropali shfaqi probleme me hipertensionin dhe mjekët që vëzhgojnë shëndetin e grevistëve në çadra, vendosën që ajo të dërgohet në spital.
Ajo ishe grevistja e 14- të që u dërgua në spital, ndërkohë që po dje një tjetër grevist, Kujdesim Basha, shkoi në spital, duke e çuar në 15 numrin e grevistëve që kanë shfaqur probleme të rënda me shëndetin, duke u detyruar të lënë çadrat përpara kryeministrisë.
Elisa, shëndeti juaj është rënduar, përse qëndruat kaq gjatë në çadrat e grevës, kur mjekët ju thoshin që duhet ta ndërprisni atë, për shkak të përkeqësimit të gjendjes tuaj shëndetësore?
Më e pakta gjë që mund të bënim ishte ushqimi dhe shëndeti. Ne kemi hyrë aty për një kauzë që është madhore dhe që ne besojmë në të. Unë absolutisht nuk doja të dilja nga greva, sepse e ndieja veten të fortë shpirtërisht dhe mendërisht, dhe isha shumë e kthjellët. Ky kombinim ishte shumë më i fortë sesa trupi im që humbiste kilogramë çdo ditë.
Dikush e tha në grevë para dy ditësh, që ne nuk jemi në çadra 202 trupa, ne këtu jemi një shpirt i vetëm. Ishte kjo dëshirë për të mos hequr dorë nga greva dhe për të vazhduar deri në fund dhe mua personalisht kjo më mbante aty, dëshira për të parë të realizuar qëllimin tonë.
Çfarë vendimi do të merrni pas mjekimit. A do të riktheheni përsëri në grevën e urisë?
Unë po konsultohem me mjekët për gjendjen shëndetësore. Kam një dëshirë të madhe për t'u rikthyer në grevë, mes shokëve dhe shoqeve të mia.
Kam dëshirë të rikthehem te 200 grevistët që qëndrojnë nën çadrat dhe që janë tashmë në kushte të vështira shëndetësore. Dua të jem pranë atyre dhe të ndaj me ta këtë vuajtje dhe atë dedikim që po tregojnë, por duhet të konsultohem me mjekët, për vendimin që do të marr.
Si mendoni ju si do të zgjidhet kriza. Si do të jenë ditët në vijim?
Unë mendoj se kauza jonë është aq e qartë dhe i ka kaluar kufijtë e ligjores. Mbi të gjitha është një kauzë politike, morale dhe ligjore dhe e gjithë e drejta është me ne dhe nga kjo e drejtë nuk heqim dorë kurrë. Beteja jonë nuk është për të hequr një pushtet dhe për të sjellë një tjetër.
Ne të gjithë kemi hyrë aty për të kthyer rrugën e mbrapshtë të Shqipërisë, për ta kthyer në rrugën e progresit, idealizmit dhe patriotizmit. Për të rikthyer politikën që mendon për njerëzit, politikën e drejtë dhe të hapur dhe e gjithë greva është një simbol dhe një qëndresë ndaj çdo lloj abuzimi të pushtetit, për të drejtën themelore të njerëzve, për rivendosjen e votës së lirë.
Elisa, çfarë apeli keni ju për qeverinë?
Unë i bëj apel qeverisë shqiptare që mos të mbyllë sytë dhe mos të mbyllë veshët, sepse një qeveri e shurdhët dhe e verbër, nuk mund të shohë dhe të dëgjojë sesa afër është fundi i saj. Mendoj se ashtu si njerëzit, edhe qeveritë, duhet të heqin dorë me nder, në kuptimin simbolik të fjalës. Këtë gjë duhet të kuptojë edhe kryeministri i Shqipërisë. Ka ardhur koha që kryeministri të largohet me dinjitet dhe jo me turp.
Mjekët: Grevistët me diabet s'duhet ti rikthehen grevës
TIRANË- Grevistët që janë dërguar në spital gjatë nëntë ditëve të zhvillimit të grevës kanë këmbëngulur që pas mjekimit të rikthehen përsëri mes grevistëve të tjerë, edhe pse gjendja shëndetësore nuk ka qenë në favorin e tyre. Por sipas mjekëve që kanë trajtuar grevistët, personat që vuajnë nga diabeti nuk duhet të vazhdojnë grevën e urisë, pasi mungesa e ushqimit përbën një rrezik serioz për shëndetin e tyre.
Grevistët e mbërritur në spital kanë shfaqur luhatje të tensionit dhe dhimbje të rënda të stomakut, nga mungesa e ushqimit prej nëntë ditësh. Por disa prej grevistëve që kanë vajtur në spital, janë rikthyer përsëri në grevën e urisë, ndërkohë që në qendrën spitalore "Nënë Tereza" po trajtohet gjashtë grevistë të tjerë.