E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e ish-punonjësve: Basha largo dhunuesin. Bashkia: Ka ligje

TIRANE– Ish-punonjës të Bashkisë së Tiranës të pushuar së fundi nga puna kanë protestuar sot para këtij institucioni. Protestueset kryesisht femra kanë kërkuar reagimin e kryebashkiakut Basha për të larguar nga puna kreun e policisë bashkiake Florenc Hoxha, pasi siç pretendojnë ato, ai ka dhunuar dy ish-punonjëse të këtij instiuiconi.

“I kërkoj me forcë të largojë nga zyrat e shtetit dhunuesin e grave ,të zonjave intelektuale, të cilat nuk kanë bërë asnjë shkelje në detyrë dhe nuk kishin marrë asnjë shkresë për largimin nga detyra. Ne i jemi drejtuar organizatave të grave të na mbështesim, ndërkohë që i bëj thirrje kryetarit të Bashkisë Basha të largojë atë xhelat nga Bashkia”, - shprehet një ish-punonjëse.

Ndërsa një tjetër thekson: “ I kërkoj kryebashkiakut që të vërë specialistë në krye të detyrës dhe jo xhelatë, të cilët në interesa të tyre dhe veçanërisht në interesa politike të dhunojnë gratë. Flitet për barazi gjinore, çfarë lloji barazie është kjo, kur shoqet tona dhunohen brenda këtij institucioni?!”

Pas kësaj proteste ka ardhur edhe reagimi i Bashkisë së Tiranës, e cila fton cdo ish-punonjës që mendon se ndaj tij është marrë masë e padrejtë, që të ndjekë hapat e parashikuar në ligj dhe i siguron ata për gadishmërinë dhe vullnetin për të shqyrtuar pa asnjë ndikim, çdo problem të ngritur prej tyre.

“Bashkia e Tiranës kanë qendër të punës së saj transparencën dhe vlerësimin mbi bazën e punës. Çdo punonjës i Bashkisë vlerësohet vetëm mbi rezultatet në punë, dhe jo nga kritere të tjera.” - thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.

“Bashkia e Tiranës është dhe do jetë e vendosur të zbatojë ligjin dhe barazinë para ligjit, që nga qytetari më i thjeshte, deri tek zyrtari më lartë” - përfundon deklarata.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›