E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e parë multietnike në veri të Mitrovicës

Mitrovicë, 21 gusht - Shqiptarë, serbë, boshnjakë, goranë etj, kanë protestuar bashkërisht në mënyrë të qetë, për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, duke i bllokuar rrugën që shpien në lagjen “Kodra e Minatorëve”. Kjo është protesta e parë që banorë të saj, pa dallim etnie e feje, së bashku kanë protestuar për problemet që ata i preokupojnë. Kjo protestë është mbajtur të premten në orët e pasdites.
Mungesa e ujit të pijes është problem i të gjithëve andaj edhe kanë dal të gjithë së bashku për të protestuar në mënyrë të qetë dhe të kërkojnë nga autoritetet që ky problem të zgjidhet sa më shpejtë, kanë thënë protestuesit. Elizabeta Kelmendi tha se është duke hequr të zitë e ullirit në këto ditë vape nga mungesa e ujit. Lagjes po i vjen era pisllëk e për këtë nuk e çan kush kokën, ndonëse ne banorët kemi reaguar me kohë. Edhe Nenad Jakshiq tha se ka dalë të protestojë për shkak të mungesës së ujit dhe se banorët e lagjes janë të irrituar edhe më shumë për faktin se askush nuk u jep kurrfarë sqarimi. “Ne kërkojmë ujë dhe asgjë tjetër. Nuk duam të bëjmë politikë, sepse uji nuk është politikë, uji është çështje jetike”, ka thënë ai. 
Përfaqësuesi i serbëve të lagjes, Nenad Mariq, tha se është ky një tubim i qetë protestues për shkak të mungesës së ujit, për zgjidhjen e të cilit problem është trokitur në çdo derë, por pa sukses. “Ne kemi marrë vetëm premtime dhe asgjë tjetër, e me premtime nuk mund ta shuajmë etjen. Ne lagje kemi 74 fëmijë nga 1 deri në 3 vjet, kemi persona të hendikepuar, kemi pleq dhe mungesa e ujit në këtë vapë të tmerrshme po na vështirëson jetën e të gjithëve, e sidomos kategorive që përmenda”, ka thënë ai. 
Gjatë gjithë kohës protestuesit ishin të rrethuar nga forca policore, të cilët kërkonin të lirohet rruga, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Madje, aty pari nuk janë lejuar të qarkullojnë as automjetet e KFOR-it.
Në ndërkohë, në lagje ka arritur edhe nënkryetari i komunës paralele serbe, Sasha Dedoviq, i cili i ka pyetur qytetarët përse nuk kanë ardhur në Komunë për të kërkuar zgjidhjen e problemit, duke u premtuar pastaj se problemi do të zgjidhet menjëherë. Protesta ka përfunduar e qetë dhe pa incidente, kurse banorët kanë vendosur që nëse nuk zgjidhet problemi, ata sërish do të dalin bashkërisht në protestë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›