E Diel, 1 Nëntor 2026

Vihet nën kontroll zjarri në Cërrik, u angazhuan 21 zjarrfikës dhe 5 mjete

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu sot kodrat e fshatit Shtërmen, në Bashkinë e Cërrikut, është vënë nën kontroll dhe është shuar pas një operacioni disaorësh të forcave zjarrfikëse.

Kryetari i Bashkisë Cërrik, Florenc Doka ndau në rrjete sociale momente nga aksioni për shuarjen e flakëve, teksa bëri të ditur se, në operacionin për shuarjen e tyre u angazhuan 21 punonjës të shërbimit zjarrfikës dhe 5 mjete zjarrfikëse.

Në ndihmë të ekipeve të Bashkisë Cërrik ndërhynë menjëherë edhe forcat e MZSH-së nga bashkitë Elbasan, Gramsh dhe Belsh, të cilat kontribuan në izolimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit.

Bashkia Cërrik falënderoi efektivët zjarrfikës dhe banorët për angazhimin në përballimin e situatës.

“Falënderoj me mirënjohje të gjithë banorët dhe forcat e MZSH për angazhimin e jashtëzakonshëm në përballimin dhe shuarjen e flakëve. Një falënderim të veçantë shkon për ekipet e MZSH Elbasan, MZSH Gramsh dhe MZSH Belsh, të cilat iu përgjigjën menjëherë thirrjes për ndihmë dhe kontribuan në vënien nën kontroll të zjarrit”, shkroi Doka.

Bashkia u bëri apel qytetarëve që të sinjalizojnë menjëherë strukturat përgjegjëse në rast se konstatojnë vatra zjarri, duke theksuar se reagimi i shpejtë është vendimtar për mbrojtjen e jetës së njerëzve, pronës, tokave bujqësore dhe pasurive natyrore.

Doka vuri në dukje se, për shkak të ndryshimeve klimatike, sezoni veror po shoqërohet me një rrezik gjithnjë e më të lartë për zjarre, ndaj kërkohet përgjegjësi maksimale nga çdo qytetar për parandalimin e tyre.

/e.xh/a f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›