E Hënë, 2 Nëntor 2026

Protesta gjithëkombëtare në Tiranë, mijëra qytetarë dhe politikanë kërkuan “Liri për Çlirimtarët”

Është mbyllur protesta mbarëkombëtare në sheshin “Skënderbej” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (UÇK).

Qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, përfshirë mijëra pjesëmarrës nga Kosova, u mblodhën në zemër të Tiranës nën moton “Liria ka emër”, për të shprehur solidaritetin me ish-udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.

Protesta u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa incidente, ndërsa në fjalimet e mbajtura u theksua se lufta e UÇK-së është e drejtë dhe e shenjtë, dhe se drejtësia ndërkombëtare duhet të njohë dhe respektojë të vërtetën historike të popullit shqiptar.

Protesta e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së u zhvillua me qëllim shprehjen e  mbështetjen e pakushtëzuar ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Protesta të ngjashme në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar më herët edhe në Prishtinë e Hagë.

Tubimi, i cili ka mbledhur mijëra qytetarë të ardhur masivisht nga Kosova dhe diaspora, hapi dyert me intonimin e Himnit Kombëtar, duke përcjellë mesazhin e unitetit dhe solidaritetit.


“Trillime ruso-serbe”, Ali Ahmeti: Gjykata Speciale u themelua që Rusia të rikthente UNMIK-un. UÇK nuk ka shkelur ligjet e luftës

Ali Ahmeti, një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke folur në tubimin krah veteranëve të luftës në Tiranë, tha se ajo dëshmoi mbështetjen unanime të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës. Duke e konsideruar Gjykatën Speciale ku po hetohen disa nga ish-komandantët dhe shtetarët kryesorë të Kosovës, Ahmeti deklaroi se e gjithë akuza ndaj atyre ka trillin në zanafillë.

“Sot të gjithë jemi dëshmitarë se akt-akuza s’ka të bëjë më një trafikim organesh, por është një riciklim i akuzave të mëhershme ndaj Ramushit, Fatmirit e të tjerëve. Sot ata po gjykohen si çlirimtarë, si njerëz që e kanë kapur pushkën për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe popullin e vet nga gjenocidi serb. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare për luftë dhe asnjëherë nuk ka shkelur ligjet e luftës,” tha Ahmeti.


Moisiu nga protesta: U takova me krerët e UÇK-së në Hagë, ata janë të burgosur pa prova

Në kuadër të protestës mbarëkombëtare “Liria ka emër” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të paraburgosur në Hagë, fjalën e parë e mbajti ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu. Moisiu zbuloi se, së bashku me ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Bamir Topi, si dhe ish-kryeministrin Pandeli Majko, ai kishte realizuar një vizitë personale te të paraburgosurit në Hagë.

“Nga këta burra kuptova dhe pashë se ata nuk ishin të frikësuar, por ishin të qetë për të mbrojtur luftën e UÇK-së nga njollat e hedhura nga ata që nuk u duan të mirën shqiptarëve,” tha Moisiu, duke shtuar bindjen se drejtësia do të bëjë detyrën e saj në krahun e “katër vëllezërve të UÇK-së”.

Ish-presidenti theksoi rolin e mbështetjes ndërkombëtare për luftën e Kosovës, duke përmendur NATO-n, SHBA-në dhe Perëndimin.

“Zyrtarët amerikanë që po dëshmojnë në Hagë, po sjellin prova se ata janë të pafajshëm. Ata nuk ishin kriminelë, por udhëheqës të lirisë,” apeloi Moisiu.

Në mbyllje të fjalës së tij, Moisiu kërkoi unitet mbarëkombëtar.

“Është koha të mos heshtim, por të ngremë zërin për të mbrojtur sakrificat e njerëzve tanë. S’mund të pranojmë të nëpërkëmbet gjaku i heronjve të UÇK-së”.


Keçi: UÇK nuk ishte organizatë kriminale, drejtësia ndërkombëtare nuk mund të mbyllë sytë

Kryetari i Shoqatës “Tirana”, Rushdi Keçi, në fjalën e tij gjatë protestës në mbështetje të UÇK-së, i zhvilluar në sheshin “Skënderbej” tha se drejtësia ndërkombëtare nuk duhet dhe nuk mund të qëndrojë e verbër përballë së vërtetës historike që lidhet me luftën për çlirim të Kosovës.

“Jemi këtu për të nderuar gjakun e dëshmorëve që me sakrificën e tyre i dhanë jetës lirisë së Kosovës. Tirana ndër vite ka qenë djepi i i mirëpritjes dhe bashkimit kombëtar. Sot jemi mbledhur këtu në Tiranë, për të nderuar luftën e shenjtë dhe të drejtë të UÇK. Tirana ka qenë mikpritëse, i ka hapur zemrën çdo shqiptari që ka ardhur nga çdo trevë. Në 1999, Tirana u bë dritë shpresë, qytetarët e saj pritën mijëra kosovarë. Tirana tregoi se është kryeqyteti i shpirtit shqiptar. Nga kjo tokë, dolën bij që iu bashkuan UÇK. Midis tyre, është dëshmori Skerdilajd Lagami. Emri i tij do të kujtohet përjetësisht si shembull i guximit. Sot, teksa nderojmë dëshmorët, nuk mund të mos ngremë zërin edhe për vëllezërit e UÇK, që mbahen padrejtësisht në burgun e Hagë-s. UÇK nuk ishte organizate kriminale por ushtri e një populli te shtypur qe luftoi me dinjitet dhe liri. Nuk janë kriminel por simbole te lirisë dhe qendrës shqiptare, dhe drejtësi nuk mund të mbyllë sytë përballë të vërtetë”, tha Keçi.


Gucati: Sot i thërrasim ndërgjegjes sonë kombëtare. Gjykata Speciale ka humbur çdo besim te shqiptarët

Në protestën gjithëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se shqiptarët nuk do të heshtin më ndaj krimeve serbe të kryera në Kosovë.

Si një ndër organizatorët kryesorë, ai iu drejtua protestës me mijëra pjesëmarrës në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, duke theksuar se proceset në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerë, janë të padrejta dhe se viktima po barazohet me xhelatin.

“Ne sot po protestojmë, por të ngremë zërin për drejtësi. Jemi këtu për të mbrojtur luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të mbrojtur gjakun e derdhur për liri dhe për të mbrojtur nderin e çlirimtarëve tanë. UÇK-ja nuk ka nevojë të dëshmojë se ka qenë ushtri çlirimtare. Këtë e ka dëshmuar historia, populli, varret e dëshmorëve të kombit, bota mbarë. Bota mbarë pa në sytë e vet krimet serbe në Kosovë. Sot, përmes kësaj Gjykate po gjykohen jo krimet, por fajtorët si popull. Po përpiqen të barazojnë viktimën me xhelatin. Po duan të njollosin luftën tonë të shenjtë. Ne nuk do ta pranojmë këtë.

Nuk do ta lejojmë të përdhosin emrin e komandantëve tanë. Nuk do të heshtim kurrë për këtë histori të popullit tonë. kjo protestë nuk ka lidhje me politikën. Kjo është protestë e popullit shqiptar në zemrat e shqiptarëve. Ne nuk po kërkojmë mëshirë. Po kërkojmë drejtësi, barazi para ligjit dhe para historisë. Ne e gjykojmë qartë që Gjykata Speciale e ka humbur çdo besim te shqiptarët. Proceset që po bëhen në Hagë janë të njëanshme dhe të padrejta. Kjo protestë është thirrja e ndërgjegjes sonë kombëtare,” u shpreh Gucati.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›