E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta në Durrës, nuk u regjistrohet prona

28/04/2009  Të shpërngulurit nga veriu, takim “me dhunë” me prefektin Pajuni

DURRES- Është rikthyer përsëri në qendër të debateve çështja e pronësisë së tokës truall dhe të tokës bujqësore për banorët e shpërngulur nga Veriu drejt tokave në bregdet të Durrësit. Përfaqësues të familjeve të vendosur në komunën Katund i Ri nuk janë larguar deri sa kanë detyruar prefektin e Durrësit Klodian Pajuni të pranojë takimin me përfaqësinë. Çështja që ka provokuar daljen e tyre në protestë ka të bëjë me kundërshtinë e zyrës së Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme për t’i pajisur ata me certifikatë pronësie.

Regjistrimi i pronave

Një proces i tillë ka nisur me kontingjentin e parë të të shpërngulurve, por më pas është ndërprerë. Ndryshime i ligjeve dhe amendimet e bëra kanë risjellë në vëmendjen e institucioneve përgatitjen e formateve dhe formularëve të rinj enkas për këtë kategori, por lënia pas dore ka lënë pa pronë të regjistruar qindra familje. Një vit më parë një problem i tillë i paraqit zyrtarisht nga kryetari i qarkut të Kukësit Shefqet Bruka dhe kreu i shoqatës të të përmbyturve Jahir Trota. Ata kanë bërë të gjitha përpjekjet për t’i paraprirë me zgjidhje problemit, por njësitë vendore dhe autoritetet institucionale në Durrës nuk janë treguar aktivë. Dhjetëra banorë janë nisur nga Katundi i Ri dhe zonat ku janë vendosur të shpërngulurit për të protestuar para prefekturës. Së bashku me ta ka qenë edhe kryetari i komunës Katund i Ri, Hil Priska. Ai ka udhëtuar së bashku me protestuesit, të cilët kërkojnë respektimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave numër 306 në të cilën theksohet se kjo kategori familjesh, tokat e të cilave janë nën ujërat e Liqenit të Fierzës përfiton tokë truall e tokë bujqësore në bazë të një përllogaritjeje paraprake. Përfaqësia i ka bërë edhe një herë të qartë prefektit Klodian Pajuni se 280 prona të familjeve të shpërngulura janë hipotekuar, kurse kanë mbetur jashtë hipoteke dhe pa asnjë certifikatë pronësie më shumë se 300 familje të tjera. Kryetari i komunës Hil Priska në kohën që kanë ardhur të shpërngulurit e parë ka qenë kryetar komisioni për ndarjen e tokës dhe kjo ka qenë arsyeja që ai ka ardhur së bashku me protestuesit për të takuar prefektin. Dhënia e tapive është ndërprerë pas viteve 1997, 1998 dhe të gjithë familjet që kanë ardhur pas kësaj periudhë nuk kanë tokë të regjistruar në hipotekë. Komuna ka pranuar se brenda 15 ditësh është e gatshme të dërgoj të gjithë dokumentacionin në prefekturë dhe që andej në hipotekë, ndërkohë që akti i marrjes në pronësi të tokës duhet nënshkruar edhe në qark.

Akuzat

Të vdekurit pronarë tokash

Banorët kanë lëshuar akuza të forta lidhur me procesin e ndarjes së tokës disa vite më parë duke bërë pronar të tokave persona, të cilët nuk kishin qenë as punonjës në ndërmarrje e kooperativa dhe as banorë të fshatrave. Xhelal Braha ka pohuar dje në ditën e protestës para prefekturës se “Janë 180 persona anonim dhe të vdekur, të cilët janë bërë pronarë të tokës në “Adriatik” dhe në fshatra të tjera”. Sipas Brahës, kanë marrë tokë edhe njerëz, të cilët nuk kanë regjistruar emrat e tyre, por emrat e njerëzve të vdekur dhe të tjerë që nuk njihen nga askush në këtë komunë. Protestuesi Braha ka pohuar se “Ata që kanë bërë këtë veprim e kanë shitur më pas tokën tek persona të tretë duke përfituar miliona lekë”. Ai nuk ka përmendur emra të përveçëm por ka kujtuar se Prokuroria ka bllokuar dy dosje me vendime si dhe ka vënën nën akuzë ish-kryetarin e komunës, ndërsa toka nuk është rikthyer më. Braha është shprehur se moszgjidhja e problemit sa më parë nga prefektura, qarku dhe hipoteka do të shtyjë banorët të mos hapin qendrat e votimit si dhe të bllokojnë rrugën Durrës-Kukës ditën e përurimit të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›