E Shtunë, 31 Tetor 2026

ILDKP çel numër falas për denoncimet për afera të dyshuara korruptive

27/04/2009  Inspektor i përgjithshëm Llalla sqaron iniciativën më të re “ILDKP me dyer të hapura”

Hetim i hollësishëm administrativ, 4 % e zyrtarëve në dorë të publikut

Pas një serie takimesh me medien dhe organizatat joqeveritare lokale në disa qarqe, Inspektorati i Lartë do të organizojë edhe “ILDKP me dyer të hapura”. Vihet re një intensifikim i raporteve tuaja me opinionin publik...

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në strategjinë e tij për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë një rëndësi shumë të madhe transparencës me publikun e gjerë. Në bashkëpunim me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) Inspektorati ka zhvilluar takime njohëse dhe bashkëpunuese me medien dhe organizma joqeveritarë në qarkun e Vlorës, Shkodrës dhe Korçës. Mund të themi me bindje se informacioni i shkëmbyer në këto takime ka shërbyer për krijimin dhe forcimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet institucionit tonë dhe grupeve shoqërore që janë të interesuara për evidentimin dhe shmangien e rasteve korruptive në administratën publike. Pjesë e rëndësishme e strategjisë për realizimin e transparencës është edhe aktiviteti “ILDKP me dyer të hapura”, të cilin do ta realizojmë ditën e mërkurë, më 29 prill 2009, ora 10:00-13:00. Aktiviteti, i cili do të zhvillohet në ambientet e Inspektoratit të Lartë, do të realizohet sërish me mbështetjen e USAID-it dhe ka për qëllim njohjen e opinionit të gjerë publik me aktivitetin e përditshëm dhe me mënyrat e hetimit administrativ në ILDKP.

Çfarë përfshin “ILDKP me dyer të hapura”?

Është një aktivitet i gjerë, i përbërë nga disa komponentë të rëndësishëm, të cilët të marrë të gjithë së bashku do të ndikojnë në realizimin e transparencës, si dhe në përfshirjen e opinionit publik dhe pjesëmarrësve në këtë takim, në proceset përzgjedhëse dhe përcaktuese të hetimit administrativ. Në aktivitet do të bëhet prezent për të gjithë numri pa pagesë që gjendet në institucion, në shërbim 24 orë, për të pritur dhe regjistruar të gjitha denoncimet për afera të dyshuara korruptive që mbërrijnë nga publiku. Për informacionet që mbërrijnë në këtë numër pa pagesë (0800-9999), por edhe nëpërmjet formave të tjera të komunikimit, si: telefon, faks, e-mail etj., Inspektorati i Lartë angazhohet të ruajë plotësisht konfidencialitetin e personave që japin informacion. Gjatë “Ditës së hapur” i gjithë stafi i ILDKP-së do të jetë në dispozicion të pjesëmarrësve për t’iu përgjigjur interesimit mbi çështje që përfshihen në fushën e interesave njohëse të tyre. Pjesë e “Ditës së hapur” do të jetë edhe procedura e hedhjes së shortit për përzgjedhjen e 4 për qind të zyrtarëve që mbartin detyrim për deklarim të interesave private, të cilët do të kalojnë për kontroll të plotë, që përbën edhe fazën e hetimit të hollësishëm administrativ. Ndryshe nga procedurat e mëparshme, ku shorti është realizuar në mënyrë elektronike, këtë vit në short do të jenë aktivë vetë qytetarët e pranishëm. Ata do të zgjedhin ndër zarfet me numra, të mbyllur, që u korrespondojnë emrave të subjekteve të përfshirë në short, derisa të arrihet shifra e 4 për qind të totalit të përgjithshëm të zyrtarëve deklarues. Nëpërmjet kësaj procedure ILDKP-ja synon të realizojë transparencën maksimale, si dhe të bëjë më të prekshëm për opinionin publik procesin e përzgjedhjes dhe investigimit që kryhet në institucionin tonë. Gjithashtu për interesin e medies dhe të opinionit publik gjatë aktivitetit të madh ILDKP-ja do të bëjë publike edhe listën e zyrtarëve që nuk kanë respektuar afatet ligjore për deklarimin e interesave private “periodike/vjetore”, si edhe do të organizohet një konferencë për mediet e inspektorit të përgjithshëm. Shprehim bindjes se ky lloj aktiviteti do të ndihmojë në krijimin e autostradave të komunikimit dhe bashkëpunimit mes Inspektoratit të Lartë dhe opinionit të gjerë publik.

Verifikimi i deklaratës së interesave

Kontrolli i plotë për verifikimin e vërtetësisë dhe të saktësisë së të dhënave që përmbahen në deklaratë kryhet:

a) Çdo 2 vjet për zyrtarët e përcaktuar në nenet 27, 30 dhe 33 të këtij ligji.

b) Çdo 3 vjet për zyrtarët e përcaktuar në nenin 29 (vetëm për kryetarët e bashkive ose të komunave me mbi 10000 banorë dhe për kryetarët e këshillave të qarqeve); në nenet 31 e 32 (vetëm për zyrtarët e nivelit të lartë drejtues, të përcaktuar në këto dy nene); për prefektët, gjyqtarët e apelit, prokurorët e Apelit dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.

c) Çdo 4 vjet për deputetët, për titullarët e institucioneve shtetërore, qendrore ose vendore dhe anëtarët e organeve kolegjiale të këtyre institucioneve, të papërfshira në shkronjat e mësipërme të kësaj pike.

Për të gjitha kategoritë e tjera të zyrtarëve që u nënshtrohen deklarimit periodik (përfshirë sa më sipër), kontrolli kryhet çdo vit për një numër prej të paktën 4 për qind të numrit të përgjithshëm të deklaratave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›