Protesta në disa qytete, dëmtime në shkolla e objekte publike dhe përplasje me policinë

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ Protestat e zhvilluara në disa qytete të vendit janë shoqëruar me incidente, dëmtime të pronës publike dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa raportohet edhe për persona të lënduar.
Në Lezhë, një grup nxënësish bojkotuan mësimin dhe dolën në rrugët e qytetit, ku u dëmtuan xhamat e shkollave “Hydajet Lezha”, “Kolin Gjoka” dhe shkollës jopublike “Rogacionistët”.
Protestuesit qëlluan me gurë drejt efektivëve të policisë. Gjithashtu, u dëmtuan kangjella dhe tabela përgjatë rrugëve.
Sipas raportimeve mediatike, një grua dhe një vajzë u lënduan nga gurët dhe u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Policia ka shoqëruar një person.
Në Vlorë, protesta u zhvendos drejt selisë së Partisë Socialiste, pas përplasjeve me policinë pranë bashkisë. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë, ndërsa policia krijoi një kordon për të penguar afrimin e tyre. Drejt efektivëve u hodhën gurë, kapsolla dhe sende të tjera të forta.
Incidente u shënuan edhe në Peshkopi të Dibrës, ku protestuesit përmbysën kosha mbeturinash në rrugë dhe u përplasën me policinë. U raportua gjithashtu për dëmtimin e një furgoni policie dhe shoqërimin e disa personave.
Në Bajram Curri të Tropojës, disa të rinj, mes tyre gjimnazistë, u mblodhën në sheshin kryesor dhe hodhën gurë në drejtim të ndërtesës së bashkisë dhe Pallatit të Kulturës.
Gjithashtu, u raportua për djegien e koshave të mbeturinave pranë zonës së njohur si Inxhinieria, përpara se protestuesit të marshonin në rrugët e qytetit.
Në Burrel, protestuesit vijuan bojkotin e mësimit, ndërsa dogjën degë pemësh dhe sende të tjera në rrugë. Gjatë përplasjeve me policinë, disa prej tyre dëmtuan derën e një furgoni policie, në përpjekje për të penguar shoqërimin e një protestuesi.
Në Elbasan, protesta u zhvillua me marshim në rrugët e qytetit, ku u dogjën kosha mbeturinash.
Zjarrfikësja ndërhyri për shuarjen e flakëve, ndërsa kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, bisedoi me protestuesit në qendër të qytetit.
Ndërkohë, në Korçë u raportuan përplasje mes protestuesve dhe policisë, hedhje gurësh dhe dëmtime të hapësirave të gjelbra. Efektivët ndoqën disa të rinj në rrugicat e qytetit dhe nisën shoqërimin e tyre në komisariat.
/gj.m/j.p/