E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta paqësore e LGBT, shoqërohet një 25-vjeçar

TIRANE-Protesta paqësore e zhvilluar ditën e djeshme nga një grup aktivistësh të komunitetit LGBT (lesbike, gay, biseksual dhe transgjinor) para ambasadës së Maqedonisë në vendin tonë është shoqëruar me incidente. Sipas përfaqësuesve të këtij komuniteti, një 25-vjeçar me emrin Redon Maloku është afruar pranë vendit ku po zhvillohej protesta duke sharë e ofenduar në drejtim të aktivistëve.
"Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore dhe korrekte si shprehje e sëdrejtës për manifestim dhe për shprehje, ndërsa policia ishte njoftuar paraprakisht, në respekt të ligjit për tubimet. Por në momentin kur dukej se gjithçka përfundoi dhe teksa grupi i aktivistëve po shkonte të ulej në një kafe në rrugën "Skëndërbej" ku ndodhet blloku i ambasadave një person, rreth 25 vjeç, i quajtur Redon Maloku u afrua pranë grupit duke i sulmuar verbalisht me fjalë denigruese, duke përshtyrë dhe duke i kanosur aktivistët me jetë. Fjalët që ai përdori janë: "Do ju vras të gjithëve po dolët prapë!", "Ju duheni djegur!", "Mirë ua bënte Hitleri!", Mirë ua bënë në Serbi, ashtu do ua bëjmë edhe ne po dolët prapë!", - thuhet në deklaratën e përbashkët për shtyp të tri organizatave në mbrojtje të të drejtave të këtij komuniteti.

Në atë moment grupi i aktivistëve kontaktoi 3 herë me qendrën operacionale të policisë dhe mundi të mos e lejonte këtë person të largohej. Pasi policia erdhi në vendngjarje, personi në fjalë u shoqërua në Komisariatin nr. 3, ndërkohë që aktivistja Xheni Karaj bëri kallëzim për kanosje. Ndërkohë që, organizatat LGBT në vend janë të vendosur që ta ndjekin deri në fund përmes rrugëve ligjore këtë çështje, pasi sipas tyre "vetëm duke iu përgjigjur përmes ligjit do të mund të ndalojmë urrejtjen dhe atmosferën kërcënuese që ve në rrezik respektimin e të drejtave themelore të njeriut".

(d.b/o.mitre/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›