Protesta para Kryeministrisë hyn në ditën e 105-të, pjesëmarrëse dhe diaspora

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Qytetarët dhe aktivistët kanë zhvilluar edhe këtë shtunë protestën e radhës duke u mbledhur para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Protestës së sotme, e cila ka hyrë në ditën e 105-të me po të njëjtat kërkesa kryesore, dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe politikës së vjetër, iu bashkuan edhe qytetarë nga diaspora.
Organizatorët e konsideruan pjesëmarrjen e diasporës si një mbështetje e madhe për protestën.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj tha se “diaspora është me ne. Ky shesh i ka bërë bashkë të gjithë shqiptarët, ata që jetojnë këtu dhe ata që janë detyruar të largohen nga klasa politike 36-vjeçare”.
Teksa vijonin fjalimet në foltoren e improvizuar para Kryeministrisë, një grup pjesëmarrësish u shkëputën nga protesta për të marshuar nê rrugët kryesore të kryeqytetit duke krijuar problematika në qarkullim. Punonjësit e Policisë së Shtetit u bënë thirrje protestuesve që të lironin rrugët dhe të lejonin qarkullimin normal të automjeteve.
Ndërkohë të tjerë qytetarë vijuan të qëndronin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke adresuar mesazhet dhe thirrjet e tyre. Ata theksuan se nuk do të largohen deri në dorëheqjen e qeverisë.
Protesta, e cilësuar edhe si “Revolucioni i Flamingove”, nisi më 31 maj si reagim ndaj projektit turistik të planifikuar për t’u ndërtuar në Zvërnec. Por tashmë organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë artikuluar kërkesa më të gjera politike dhe institucionale.
Protesta e 105-të; Fotoreporter: Florian Abazi 1 nga 12/gj.m/r.e/