Zjarret, tri vatra aktive në vend, 119 forca vendore dhe 25 të FA në terren

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Në vend janë raportuar gjatë ditës së sotme 11 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten aktive, 2 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 6 janë shuar plotësisht.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 119 forca operacionale vendore dhe lokale, 12 automjete zjarrfikëse, si dhe 25 efektivë të Forcave të Armatosura.
Vatrat aktive ndodhen në Gallatë të Kurbinit, ku zjarri vijon në shkurre dhe pisha, pa paraqitur rrezik për zonat e banuara; në Librazhd Katund, ku janë angazhuar 5 efektivë të MZSH-së Librazhd; si dhe në Bularat të Dropullit, ku operojnë 10 efektivë të MZSH-së, 5 forca bashkiake dhe 25 efektivë të Forcave të Armatosura. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Në qarkun Dibër, zjarri në Lundre–Madhesh është shuar, ndërsa vatrat në Cerrujë, Mali i Allushit dhe Selishtë vijojnë të jenë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Fier, vatrat në Bitaj të Lushnjës dhe Rërës të Patosit janë shuar plotësisht.
Ndërkohë, reshjet e dendura të shiut kanë sjellë problematika në qytetin e Elbasanit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë ditës janë regjistruar 55 milimetra reshje, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje të qarkullimit në bulevardin kryesor dhe në Urën e Shkumbinit, si dhe përmbytje të disa banesave dhe bizneseve në zona të ndryshme, përfshirë Lagjen “5 Maji” dhe zonën e ish-NSHU-së.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale vijojnë të jenë të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
/gj.m/r.e/