Turizëm me domate e speca
Thyerja e gjysmes se gushtit shenon edhe drejtimin e sezonit te pushimeve ( apo turistik), sic quhet me te padrejte kur behet fjale per Shqipërinë) drejt fundit, kthimin e përgatitjeve për në punë, fillimin e shkollave, si dhe rinisjen e fluksit të emigrantëve në drejtimin e kundërt të një apo dy muajve më parë. Edhe këtë verë rendja e njerëzve drejt detit, ekspozimit në diell apo vende të njohura për klimë malore nuk mundi t'i shpëtojë debateve mediatike e politike, demagogjive qeveritare për arritje të papara nën drejtimin e Berishës, akuzave të opozitës, kronikave të zeza të aksidenteve të përditshme rrugore dhe lajmeve për probleme me paaftësinë e forcave të rendit për të vendosur sigurinë në këtë stinë të nxehtë. Dhe, padyshim lajmet në ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave hapen e mbyllen me fytyrën e Berishës, i cili u është ngjitur shqiptarëve dhe nuk po i lë të qetë as në këto pak ditë pushimesh vere. Në përpjekje për të fshehur krizën e thellë që ka përfshirë gjithë vendin, krizë politike, thellësisht ekonomike, institucionale dhe morale, Berisha nuk po lë rast pa u shfaqur publikisht çdo ditë, në përpjekje për të shpalosur bëmat e qeverisjes së tij, me gërshërë në dorë si në kohë fushate, edhe pse inaugurimet që bën, në të shumtën e rasteve janë minore, të papërfunduara, dhe jo rrallë të inauguruara më parë. Kur nuk ka ç'shirita të presë apo ç'takime të bëjë shfaqet si notar i madh e thyes rekordesh vetjake, interlokutor me shkrimtarë gey, sfidues për politikanë të zonës kur kalon nëpër fshatrat e tyre me shpura servilësh nga pas etj. Por, duke anashkaluar disa ngjarje pikante në Jug të vendit, si incidenti me aksidentin rrugor në Himarë, apo protestat me bllokim rrugësh të banorëve të irrituar të Dukatit e Orikumit për grabitjen e tokave në bregdet, ai është shfaqur disa herë për të folur për turizmin në Shqipëri që po konkuron gjithë vendet e rajonit e më gjerë, bum-in e madh që ka përfshirë vendin këtë vit, numrin e madh të turistëve (si asnjëherë tjetër më parë). Shifra l.4 milionë turistë dhe më pas "më shumë se ç'ka banorë Shqipëria", të dala nga goja e Berishës nuk tregojnë gjë tjetër, përpos tiparit demagogjik që ka ai për drejtimin e vendit, veçse konceptimin primitiv populist që ai ka për zhvillimet e turizmit dhe mosnjohjen e parametrave bashkëkohore për zhvillimin e tij. Berisha i entuziazmuar shifrat për hyrjet në Shqipëri në sezonin e verës i ka marrë, padyshim nga njësitë policore kufitare të kontrollit, të cilat, kuptohet, nuk mund ta përcaktojnë qëllimin e hyrjes së njerëzve në vendin tonë, qofshin ata shqiptarë nga Kosova e Maqedonia, shtetas të huaj, apo shqiptarë nga emigracioni me dokumente shqiptare apo të huaja. Si çdo vit në këtë sezon, shumica e njerëzve që hyjnë në vendin tonë janë emigrantët që kthehen pranë familjeve të tyre në një periudhë ku shumica e ndërmarrjeve në vendet evropiane mbyllen për t'u rihapur në shtator. Këtë vit numri i tyre është edhe më i madh për shkak të rritjes së papunësisë në vende të tilla si Greqia, por edhe Italia etj, ku gjurmët e krizës financiare botërore janë akoma të dukshme. Këta të gjithë qeveria shqiptare i raporton si turistë. Nga ana tjetër hyrje-daljet e shtetasve shqiptarë për në vendet fqinje (Kosovë, Maqedonia, Mali i Zi) dhe ato evropiane, për arsye nga më të ndryshmet, Berisha "i raporton" si prurje turistësh. Besoj se edhe disa prej udhëtimeve të mia në Kosovë e Mal të Zi gjatë kësaj periudhë me siguri që i kanë rritur statistikat e hyrjeve së turistëve në Shqipëri këtë sezon (!). Nga ana tjetër rritja e numrit të pushuesve (jo turistëve) në vendin tonë nuk tregon gjë tjetër veçse karakterin popullor të turizmit në vendin tonë, që veç tiparit sezonal dhe me një periudhë shumë të shkurtër veprimtarie (vetëm dy muaj në vit), është dhe shumë i lokalizuar, kryesisht dhe vetëm në zonën bregdetare. Mungesa e infrastrukturës bashkëkohore, problemet me ndotjen dhe kujdesin për mjedisin, mungesa e ujit të pijshëm përgjatë 24- orëve, kultura e shërbimit, cilësia e shërbimeve që ofrojnë operatorët turistikë, qenia larg konceptit të turizmit kulturor edhe pse janë të gjitha mundësitë dhe shumë arsye të tjera, na bëjnë të mendojmë se në Shqipëri zor se mund të themi se kemi turizëm, aq më tepër për të huajt, por pushime masive popullore për popullsinë shqiptare brenda kufijve dhe atë në rajon. është pritur dhe menduar nga të gjithë se lidhja me autostradë e Durrësit me kufirin e Kosovës do t'i sillte një hop tjetër zhvillimit të turizmit në vendin tonë. Mundësitë e kufizuara të shqiptarëve të Kosovës për të shkuar edhe në vendet e tjera kanë qenë vitet e fundit, në një farë mënyre, një klientelë e sigurtë për operatorët turistikë në Durrës, Shëngjin, Velipojë e Ulqin, dhe më pak në Vlorë, Himarë e Sarandë. Por shkurtimi i kohës së udhëtimit së pushuesve nga Kosova në zonat bregdetare shqiptare ka sjellë këtë vit "një stil të ri turizmi" të pjesës më të madhe të kosovarëve që duan të shijojnë detin. Një miku im, pronar i një fshati turistik në zonën e Golemit, por që është edhe drejtues i një klubi të njohur sportiv, thotë se efekti i rrugës mund të ketë sjellë më shumë pushues këtë vit në bregdetin e Gjirit të Durrësit, por të ardhurat që vijnë prej tyre janë të paktën 30% më të ulta në krahasim me vitin e kaluar. Nuk ka ndodhur në këto vitet e fundit, -thotë ai,- që gati gjysma e hoteleve, restoranteve e bareve të jenë të lira në fillim të muajit gusht. Arsyeja? Veç gjendjes së rënduar ekonomike të familjeve shqiptare, si në Shqipëri edhe në Kosovë, edhe rruga Durrës - Morinë e ka kthyer fluksin e pushuesve që vijnë nga Kosova nga periodik në ditor apo fundjavor, siç ndodh prej vitesh me shumë banorë të Tiranës, apo zonave pranë bregdetit. "Sot shqiptarët, sqaron miku im, nuk prenotojnë hotelet dhe nuk i frekuentojnë restorantet më si vitet e shkuara, por vijnë me mjetet e tyre dhe me ushqime me vehte me nga 2-3 ditë dhe kthehen në shtëpitë e tyre për t'u rikthyer disa herë gjatë sezonit në këtë mënyrë". Kjo, veç uljes së të ardhurve nga turizmi në shifra kërcënuese për biznesin turistik, ka sjellë këtë vit dhe probleme të tjera alarmante, siç janë ndotja dhe moskujdesi ndaj mjedisit ku stacionohen këta njerëz, kryesisht në zonat me pisha përgjatë vijës bregdetare, rritja e pasigurisë për shkak të lëvizjeve të pakontrolluara, prishja e qetësisë publike, si dhe rritja e aksidenteve si rrjedhojë e rëndimit të qarkullimit rrugor. Po kthehemi në mënyrën se si i organizonim pushimet para viteve '90, kur për shkak të gjendjes ekonomike bukën e merrnim me vehte, me ato pak gjëra që ofronte tregu në atë kohë dhe me grupe, familjarisht apo me shoqërinë, për t'u kthyer përsëri në mbrëmje në shtëpi. Edhe sot po ndodh e njëjta gjë: Po bëjmë "turizëm modern", sipas burimeve të sotme zyrtare, me bukë më vehte, me domate myzeqeje, tranguj kashari, e speca rahoveci. Ky është vizioni i Berishës për turizmin bashkëkohor dhe me domate e speca kërkon të konkurojë me turizmin në rajon. Padyshim që secili është në të drejtën e tij për të organizuar pushimet sipas mundësive që ka ai dhe familja e tij dhe për një kohë të gjatë as që mund të mendohet shmangia e një mënyre të tillë pushimi të shqiptarëve në rajon. Një model i tillë, që ka prekur më parë edhe Ulqinin dhe e ka shmangur edhe atë nga rruga e zhvillimeve të turizmit elitar, turizmit kulturor e turizmit të organizuar, kërkon kohë, shtimin e investimeve për përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e mirëqenies së njerëzve për ta sjellë te koncepti i turizmit bashkëkohor atraktiv e argëtues, ku synim nuk është vetëm rritja e numrit të turistëve, por në radhë të parë rritja e të ardhurave prej tyre. Por duam t'i kujtojmë Berishës se bëhet qesharak kur deklaron se shumica e turistëve që kanë ardhur këtë vit në Shqipëri janë turistë të huaj. Këtu ai si të huaj konsideron të gjithë shqiptarët që vijnë nga Kosova e që janë të pajisur me pasaporta të shtetit më të ri në botë; shqiptarët e Maqedonisë, gjithësesi shqiptarë për nga identiteti, gjuha e kultura; shqiptarët që vijnë nga emigracioni, atë pjesë jo të vogël të tyre dhe fëmijëve që kanë lindur atje në këto dy dekada që janë të pajisur me dokumente të shteteve ku jetojnë e punojnë prej kohësh. Turistët e huaj edhe kur vinë nga kërshëria apo të ftuar nga ndonjë mik i tyre shqiptar që punon në ndërmarrjen e tij, marrin vrapin e kthimit në ditën e dytë të qëndrimit të tyre në Shqipëri, për shkak të rrugëve nacionale jashtë standardeve e gjithë gropa (mjafton të kujtojmë aksin Fier - Vlorë); kur shohin se ujrat e zeza të qendrave të banuara derdhen në det; kur shohin në çdo pëllëmbë brenda qyteteve dhe anës rrugëve kombëtare male me mbeturina që dekompozohen rrezikshëm për jetën e njerëzve e duke u kthyer në burime epidemish e infeksionesh; kur shohin kushtet higjieno-sanitare të shumë njësive tregtare dhe se si tregtohen ushqimet e pakontrolluara; kur bllokohen në trafik me orë të tëra për të bërë 30 kilometra rrugë, apo për ta përshkuar me ditë Shqipërinë nga jugu në veri kur distanca nuk është më shumë 200 - 300 km; kur shohin rrugët e përgjakura, si në luftë, nga aksidentet për shkak të rrugëve të ngushta, jashtë standardeve dhe pa sinjalistikën e nevojshme. Sot është e lehtë për këdo të hyjë në internet dhe të shohë se Shqipëria zë vendin e parë në Evropë për frymë të popullsisë për aksidentët dhe jetët e humbura. Nga statistikat zyrtare për muajin korrik rezulton se çdo ditë në Shqipëri ndodhin 5 aksidente automobilistike dhe nga këto aksidente çdo ditë kanë humbur jetën 2 vetë. Me sa po shohim çdo ditë nga lajmet në media shifrat për muajin gusht janë edhe më të larta. Në kohë lufte numri i viktimave nuk do të ishte më i lartë. Dhe, së fundi, diçka për entuziazmin e Berishës në mbledhjen e fundit të Qeverisë, ku hodhi direktivën për përparësinë e turizmit në vitin e ardhshëm dhe mbështetjen me të gjitha mjetet duke e pasqyruar edhe në projektbuxhetin e vitit 2011. është për t'u shënuar që ai më në fund e kuptoi se ky vend duhet të zhvillohet duke i dhënë përparësi turizmit, për të shfrytëzuar ato resurse për të cilat natyra është treguar shumë bujare me shqiptarët. Por duam t'i kujtojmë atij se politikat e tij koncensionale duke e mbytur vendin me industri ndotëse, kryesisht në zonat bregdetare e me përparësi turizmin shkojnë ndesh me këtë të fundit. TEC-i me djegie nafte në Gjirin e Vlorës, TEC-i me qymyr në Porto Romano të Durrësit, fabrikat e çimentos në zonën historike të Krujës, rrafshimi i zonave të tëra me pyje në të gjitha vendin për të kënaqur orekset e aferave korruptive, si dhe rreziku që i kanoset sot Vlorës për masakrimin e Pyllit të Sodës prej 500 hektarësh për një euro në interes të një firme të huaj që do ta ktheje në parkim kontenierësh, etj., janë vetëm disa raste që tregojnë se Berisha flet për turizmin në vijim të demagogjisë së radhës, ose i ka rënë dielli në kokë duke qëndruar mbi një orë në det të hapur duke bërë gara noti me vehten.