Protesta studentore në Tiranë, pedagogu Besian Zogaj: Zëri i qytetarëve nuk u dëgjua gjatë tubimeve paqësore dhe përshkallëzoi! Qeveria nuk e ka lexuar mirë situatën ende
Pedagogu Besian Zogaj ka reaguar për protestat studentore që po zhvillohen sot në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, në ditën e shtatë të tyre, duke kritikuar reagimin e kryeministrit Edi Rama dhe mënyrën se si qeveria po i trajton kërkesat e protestuesve.

I ftuar në News24, Zogaj u shpreh se ka qenë çdo ditë në shesh në mbështetje të studentëve dhe qytetarëve, ndërsa e cilësoi reagimin e kryeministrit si të ardhur keq.
Sipas tij, zëri i qytetarëve nuk është dëgjuar nga qeveria, e cila, në vlerësimin e tij, nuk e ka lexuar siç duhet situatën dhe po gabon rëndë.
“Kemi qenë çdo ditë në shesh për t’ju bashkuar studentëve, qytetarëve të lirë. Reagimi i kryeministrit sot ishte për ardhur keq njerëzit kanë zbritur në shesh për t’u shkëputur nga kultura e varësisë, për të hequr njerëz nga puna. Pra duhet parë me kujdes. Përshkallëzimi i protestës nisi më gjuhë qytetare, me fëmijë në shesh me një pamje të bukur dhe kulmoi me protestën më të madhe që ka përjetuar Shqipëria. Por nisi me etiketime, sorra…Zëri i qytetarëve nuk u dëgjua. Unë them se kush ka shkelur në protestë ka qenë gjithmonë me të. Qeveria mazhoranca nuk e ka lexuar mirë dhe po gabon rëndë. Forcat e Rendit duhet të ruajnë rendin por në proporcion me kompetencat që kanë. Kjo qeveri mund të bjerë me protestë masive. Kupola drejtuese e shtetit është nën hetim, kreu i SHISH u arrestua”, tha ai.