E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk është krizë e rendit publik, por e lidershipit!”- Protestat studentore, ish-prokurori Eugen Beçi: Policia po përdoret si tampon! S’ka zgjidhje duke përdorur plumba gome

Ish-prokurori Eugen Beçi ka kritikuar mënyrën se si po menaxhohet situata e krijuar gjatë protestave në Tiranë, duke deklaruar se kriza nuk është e rendit publik, por lidhet me lidershipin dhe problemet politiko-sociale të vendit.

protesta e studenteve Eugen Beçi

Në News24, Beçi u shpreh se policia po përdoret për të përballuar një situatë që, sipas tij, nuk mund të zgjidhet përmes përdorimit të forcës, plumbave të gomës apo ujit me presion.

“Policia është e përdorur si tampon për të zgjidhur një situatë të tillë. Nuk mund të shohim një zgjidhje nga kjo duke përdorur plumba gome apo ujë me presion. Nuk është krizë e rendit publik. Është një krizë e lidershipit dhe ka lidhje me problemet politiko-sociale të vendit”, deklaroi ish-prokurori.

Ai paralajmëroi se situata mund të përshkallëzohet nëse institucionet politike nuk ndërhyjnë për të frenuar tensionet.

“Do të jemi në situata të tilla që askush nuk i dëshiron, por askush nuk tenton t’i frenojë nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ. Nëse policinë e përdor si tampon, do të shkosh në një situatë të tillë që nuk mund të menaxhohet”, u shpreh Beçi.

Ish-prokurori theksoi se institucionet shtetërore duhet të kenë si objektiv kryesor respektimin e Kushtetutës dhe garantimin e dinjitetit e të lirive të qytetarëve, pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhen.

Ish-prokurori Eugen Beçi, në News24: Policia është e përdorur si tampon për të zgjidhur një situatë të tillë. Nuk mund të shohim një zgjidhje nga kjo duke përdorur plumba gome apo ujë me presion. Nuk është krizë e rendit publik. Është një krizë e lidershipit dhe ka lidhje me problemet politiko-sociale të vendit.

Do të jemi në situata të tilla që askush nuk i dëshiron, por askush nuk tenton t’i frenojë nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ. Nëse policinë e përdor si tampon, do të shkosh në një situatë të tillë që nuk mund të menaxhohet.

Shteti, pushteti ekzekutiv, çdo organ duhet të ketë vetëm një qëllim: Kushtetutën e Shqipërisë, që nënkupton dinjitetin dhe lirinë e qytetarit. Por ata po devijojnë nga kjo. Jo vetëm liria kur ecën në rrugë, por edhe kur shoqërohen në polici, apo edhe kur kryejnë vepra të dhunshme.

Edhe në gjendje të jashtëzakonshme, që nuk është shpallur zyrtarisht, ka disa liri nga të cilat nuk hiqet dorë dhe duhet të respektohen. Prandaj është shteti, ose përndryshe nuk do të quhet më shtet, por një grup i organizuar personash kundër një grupi tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›