Protesta të dhunshme në Pakistan

Në Lahore, njësitë pakistaneze të rendit u përleshën me protestuesit që kundërshtojnë qeverinë e vendit e cila ka një vit në pushtet. Këto protesta ishin ndër më të dhunshmet deri tani. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Beri Njuhaus njofton nga Islamabadi se fillimisht autoritetet u përpoqën të shpërndanin protestuesit dhe të arrestonin udhëheqësit kryesorë, por pasi mijëra protestues arritën në qendër të qytetit, njësitë e rendit u tërhoqën. Njesitë pakistaneze të rendit patën sukses të konsiderueshëm në parandalimin e protestave masive nga aktivistët politikë dhe juristët në fillim të kësaj jave duke bllokuar rrugët dhe duke arrestuar mijëra udhëheqës të protestave. Policia përdori taktika të ngjashme dje në Lahore duke rrethuar shtëpinë e udhëheqësit të opozitës, Navaz Sharif, dhe duke pozicionuar shumë pjestarë të forcave speciale në të gjithë qytetin. Por provinca Punjab është një vend i banuar nga përkrahës të partisë së zotit Sharif dhe mijëra protestues dolën shumë shpejt për t'iu kundërvënë njësive të rendit. Turma sulmoi policinë me gurë dhe brohoriste parulla kundër presidentit Asif Zardari. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe shkopa gome. Ndërsa përleshjet vazhdonin, zoti Navaz Sharif doli para gazetarëve jashtë shtëpisë së tij dhe kritikoi përpjekjet e qeverisë për të ndaluar protestat.