E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Protestat /Turqia anulon vizitën në Ankara të ministrit suedez të Mbrojtjes

Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar ka bërë të ditur se ka anuluar vizitën e planifikuar për në datë 27 janar në Ankara, të homologut të tij suedez.

Ky vendim ka ardhur pasi autoritetet suedeze kishin dhënë leje për protesta kundër Turqisë në Stokholm.

Demonstratat që zhvillohen ndaj Turqisë kanë ndezur tensionet mes dy vendeve lidhur edhe me çështjen e anëtarësimit të Suedisë në NATO.

Suedia ka nevojë për miratimin e të gjitha vendeve, përfshirë Turqinë, në mënyrë që t’i bashkohet Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Ndërkaq,  një grup demonstruesish proturq kanë marrë leje për t’u mbledhur jashtë ambasadës turke në Stokholm.

“Në këtë pikë, vizita e ministrit suedez të Mbrojtjes Pal Jonson në Turqi më 27 janar është e pakuptimtë. Ndaj dhe e anuluam atë“, tha zoti Akar.

Jonson do të udhëtonte drejt Ankarasë me ftesë të homologut të tij turk me shpresën për të nxitur Turqinë që të miratojë kërkesën e vendit të tij për t’u bërë pjesë e NATO-s.

Nga ana e tij, Jonson ka theksuar se ai dhe Akar ishin takuar të premten gjatë një konference të aleatëve perëndimorë në Gjermani dhe kishin vendosur të shtynin takimin e planifikuar.

“Marrëdhëniet me Turqinë janë shumë të rëndësishme për Suedinë dhe ne mezi presim të vazhdojmë dialogun për çështje të përbashkëta të sigurisë dhe mbrojtjes në një datë të mëvonshme”, shkruan ai në Twitter.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›