E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Protestat e opozitës pa efekte”

29/12/2009  Kryeministri Sali Berisha bën bilancin e 100 ditëve të para të mandatit të dytë qeverisës
Procesi i integrimit dhe heqja e vizave në opinion e kreut të qeverisë janë në udhë të mbarë
Kryeministri Sali Berisha ka theksuar se është tërësisht i hapur të dialogojë me opozitën, por gjithmonë në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Duke bërë një analizë të 100 ditëve të para të qeverisjes së vendit gjatë mandatit të dytë, shefi i ekzekutivit theksoi se absolutisht nuk mund të jetë dakord të pranojë kërkesat e opozitës së majtë, të cilat shkojnë në kundërshtim me Kushtetutën. Duke iu referuar kërkesës së Partisë Socialiste për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e votave, kryeministri Berisha tha se askush nuk mund të shkojë në linjë të kundërt me vendimet e gjykatave. “Nuk është opozita që duhet të komandohet nga kryeministri, opozita duhet të respektohet nga kryeministri. Për këtë garantoj respekt të plotë”, - tha Berisha. Megjithatë, ai u tregua tejet i fortë në qëndrimin e tij, duke thënë se bojkoti i opozitës dhe protestat e ndërmarra prej saj nuk do të mund të shkaktojnë ndonjë efekt negativ në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe në atë të liberalizimit të vizave. “Në qoftë se ndokush mendon se do të mund të penalizojë Shqipërinë për faktin se Edi Rama kërkon i vetëm në Europë dhe në botë hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, gjë të cilën ia kanë mohuar në mënyrë kategorike të gjithë bashkëbiseduesit e tij, të jeni të sigurt se përgjigjja jonë do të jetë e saktë, do të vlerësohet dhe do të ecë”, - tha kreu i qeverisë. Sipas tij, është në interesin më të mirë të drejtuesve të opozitës të lënë mënjanë bojkotin dhe të heqin dorë nga ideja se mund të bëhen të rëndësishëm duke bojkotuar. “Absolutisht! Vetëm se humbasin peshë dhe rëndësi në mënyrë progresive, çka s’është në interes të vendit”, - theksoi ai. Berisha theksoi gjithashtu se për asnjë çmim Parlamenti nuk mund të marrë atributet e gjyqësorit. “Shpresoj se edhe opozita të dëgjojë, pasi edhe ajo ka 100 ditët e saj e t’i analizojë ato”, - tha ai.
Duke iu referuar një ndër kriteret që duhen plotësuar në funksion të integrimit, atë politik, Berisha nënvizoi se qeveria ka detyrim madhor për të bashkëpunuar me opozitës. Ai tha se gjatë këtyre 100 ditëve të para të mandatit të dytë qeverisës procesi i integrimit të vendit ka pësuar vërtet rritje dhe se Shqipëria ka gjetur mbështetje nga aktorët më të rëndësishëm në kryeqendrën e BE-së, Bruksel. “Këto 100 ditë u karakterizuan nga besimi i plotë, i paprecedentë i Brukselit, Bashkimit Europian, Presidentit të BE-së, Parlamentit Europian, ndaj mazhorancës në pushtet”, - deklaroi kryeministri. Shefi i ekzekutivit evidentoi vendimin e ministrave të Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së, të cilët më 16 nëntor vendosën t’i kërkojnë Komisonit Europian të çelë procedurën për njohjen e Shqipërisë si vend me statusin për kandidat në BE. Sipas tij, koalicioni qeverisës i krijuar me bindjen për reformat më të thella, bindi vendet e BE-së të hedhin këtë hap të rëndësishëm. Ai theksoi se vetëm pas 30 ditësh nga vendimi i marrë në Bruksel në Tiranë u dorëzua zyrtarisht pyetësori i Komisionit Europian, në bazë të së cilit do të vlerësohet gatishmëria e Shqipërisë për të vazhduar më tej në procesin integrues. Por përveç kësaj, kryeministri evidentoi si një moment shumë të rëndësishëm edhe vendimin tjetër, marrë po nga kryeqendra e BE-së, për liberalizmin e vizave. Për kreun e qeverisë gjatë këtyre 100 ditëve Shqipëria ia doli të bëhet pjesë e listës së bardhë për heqjen e vizave. “Premtimi im ishte se brenda vitit të parë të mandatit të dytë do të liberalizohen vizat”, - tha Berisha. Një moment tjetër shumë të rëndësishëm në funksion të liberalizimit të vizave dhe integrimit të vendit është edhe pajisja e qytetarëve me pasaportat biometrike. Kryeministri Berisha deklaroi se deri tani janë mbi 500 mijë qytetarë që kanë marrë këto pasaporta. Sipas tij, sapo të plotësohen disa kushte të tjera teknike shqiptarët do të mund të lëvizin pa viza drejt vendeve të BE-së.
Ndryshimet në ligjin për shërbimet sekrete
Kryeministri Berisha ka pranuar se ligji për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Informativ Shtetëror do të ndryshojë. Sipas tij, ligji aktual është solid të parimet dhe përcaktimet e tij, por ka nevojë për disa plotësime. Një ndër amendamentet që do të mund t’i bëhet ligjit është ai i shtrirjes së fushës së hetimit. Parashikohet që “007”-t shqiptarë do të mund të hetojnë korrupsionin e personave publikë. “Shërbimi ka bërë vetë sugjerimet, ndër të cilat mund të përmend atë që unë e quaj shumë të drejtë: kanë përcaktuar si vepër për t’u ndjekur korrupsionin e personave publikë. Aktualisht shërbimi ynë nuk e ka këtë. Gjykoj se ne, një vend me probleme për korrupsionin, duhet ta kemi këtë. Ka shërbime që e përcaktojnë me ligj në formë laksative”, - ka deklaruar kryeministri Berisha. Ai ka theksuar se shërbimi inteligjent i jep një ndihmë të padiskutueshme Policisë së Shtetit në ndjekjen e grupeve të caktuara kriminale. Sipas kreut të shtetit, janë jo të pakta grupet e çmontuara falë informacioneve të tij. “Ky objekt duhet të zgjerohet e të konsolidohet në ligj në interesin më të mirë të luftës kundër krimit dhe mafies”,- tha kryeministri. Berisha nënvizoi se projektligji nuk është përgatitur ende, pasi po priten edhe sugjerimet nga grupet e interesit. Në këndvështrimin e kreut të qeverisë ligji për Shërbimin Informativ duhet të ndryshojë, në mënyrë që objekti i punës së Shërbimit të përshtatet me kërkesat e mëdha që shtron koha. Ndërkohë, duke folur mbi punën e policisë gjatë 100 ditëve të para të mandatit të dytë qeverisës, kryeministri Berisha tha se janë arrestuar 28 zyrtarë qendrorë dhe lokalë për korrupsion. Gjithashtu ai tha se janë çmontuar mbi 15 organizata kriminale të trafikut të drogës apo organizata hajdutësh.
Diplomacia
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se diplomacia shqiptare gjatë këtyre 100 ditëve ka qenë më aktive se kurrë në promovimin e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Gjithashtu kreu i qeverisë ka vënë theksin në lotimin që diplomacia shqiptare ka bërë dhe bën për njohjen e pavarësisë së Kosovës në botë. “Harku kohor është për 100 ditë, por po të shohësh punën e bërë janë së paku 300 ditë”, - a kryeministri Berisha.
Ekonomia
Kreu i qeverisë ka deklaruar se revolucioni fiskal në Shqipëri nuk ka ndaluar për asnjë moment. Sipas tij, gjatë 100 ditëve të paratë të mandatit të dytë qeverisës janë marrë shumë vendime të rëndësishme. Kryeministri Berisha përmendi ligjin për mbrojtjen e biznesit të vogël. Ai tha se qeveria arriti që në këtë periudhë krize globale të bëjë një buxhet me 400 milionë dollarë më shumë se buxheti i një viti më parë.
Shëndetësia
Duke bërë bilancin e reformave në shëndetësi, kryeministri tha se janë ndërmarrë hapa të rëndësishme. Ai evidentoi aplikimin e çmimit të referencës, çka ka sjellë zvogëlimin e dhënies së parave nën dorë. Po ashtu ai foli për inkurajimin që u është bërë sigurimeve shëndetësore, gjë që fuqizon shërbimin shëndetësor në vend. Shefi i ekzekutivit theksoi se autoritetet shëndetësore arritën të përballin dhe parandalojnë pandeminë e gripit të derrave.
Arsimi
Reforma kryesore që përmendi kryeministri në fushën e arsimit ishte heqja e TVSH-së për arsimin privat. Sipas tij, arsimit i është dhënë një buxhet mjaft i madh dhe reformat janë të pandalshme.
Mjedisi
Kryeministri evidentoi arritjet në ndryshimet e kuadrit ligjor në fushën e mjedisit. Ai tha se është gati projektligji për mbetjet urbane dhe po reformohet sistemi i inspektorateve.
Sociale
Kryeministri tha se ka nisur reforma për zhdukjen e mjerimit. Ai tha se po hartohet ligji për kujdestarinë e fëmijëve, ndërkohë kujdes i veçantë po u kushtohet problemeve të komunitetit rom.
Promovimi
Gjatë këtyre 100 ditëve në shumë aktivitete ndërkombëtare është bërë punë e rëndësishme në promovimin e vlerave turistike dhe të pasurive nëntokësore të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›