E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjanica, përmbyt për herë të 5-të brenda një muaji

29/12/2009  Sërish nën ujë përmbytje në tregun industrial
Lumi Gjanica, i cili kalon mes përmes qytetit të Fierit, ka shkaktuar sërish përmbytje në zonën e tregut industrial dhe në lagje buzë këtij lumi. Kjo është përmbytja e 5 brenda këtij muaji për shkak të reshjeve të shumta dhe mosmarrjes së masave të këtij lumi, përmbytje e cila ka shkaktuar shqetësim jo vetëm tek tregtarët, por edhe banorët që kanë shtëpitë buzë shtratit të këtij lumi, si dhe pronarë të tjerë të njësive tregtare. Lumi Gjanica ka bërë kështu “surpriza” dëmesh të mëdha ekonomike për qytetarët, sidomos për tregtarët e qytetit, të cilët në këto ditë të fundvitit shpresonin të ringrinin ekonominë familjare, janë detyruar që të bëjnë edhe këtë mëngjes ritualin e zakonshëm, të lëvizin mallrat nga vendet ku tregtojnë e të përpiqen të pastrojnë ujërat që janë treguar të pamëshirshme për ta. Atë që nuk e kanë bërë vitet e mëparshme e ka sjellë muaji dhjetor i këtij viti, i cili ka sjellë dëme të mëdha për shkak të 5 përmbytjeve të tij. Të irrituar banorët nuk pranojnë më të prononcohen, duke e cilësuar si një maskaradë e pushtetit fatkeqësitë e tyre. Bashkia e Fierit pohon se ndjehet e pafuqishme përballë këtij fenomeni, ndërsa një përpjekje e saj është miratimi i një studimi të këtij lumi me një vlerë prej 70 milionë lekë që do të sjellë sistemimin e saj. Duket se lumi Gjanica po tregohet më e fortë se pushtetarët dhe e ka fituar “betejën “ e shkatërrimit. Specialistët e pohojnë këtë përmbytje edhe për pasojë e ngushtimit të shtratit të lumit nga mbetjet inerte që janë hedhur në lumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›