E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tekste të reja shkollore për klasat XI dhe XII

29/12/2009  Reforma në arsimin e detyruar
Ngrihen grupet e punës për miratimin e programeve lëndore të klasës XI dhe XII gjimnaz për vitet shkollore 2010-2011 dhe 2011-2012. Aktualisht janë përcaktuar edhe
12 grupet lëndore të punës që do të hartojnë planin mësimor për të dyja klasat përkatëse, të cilat në bazë të reformës së ndërmarrë në arsimin e detyruar do të punojnë me tekste të reja mësimore. Në përbërje të komisioneve që do të merren me hartimin e këtyre teksteve janë 57 figurat më të rëndësishme të arsimit dhe shkencës në vend, ku ndërmjet tyre ka edhe mësues me shumë përvojë, që mund të japin një kontribut madhor në hartimin e këtyre kurrikulave. Pak ditë më parë është bërë prezantimi i këtyre komisioneve, për të cilat kreu i Ministrisë së Arsimit, Myqerem Tafaj, është shprehur se “ju do të jeni tani aktorët që do të projektoni dhe në radhë të parë do të vlerësoni materialet, pra kurrikulat që ka përgatitur Ministria e Arsimit në bashkëpunim me IKT-në dhe mbi bazën e vlerësimit tuaj dhe të përmirësimeve që do të propozoni ju, do të përgatitet varianti përfundimtar i kurrikulës së klasës XI dhe XII”. Sipas tij, mbi këtë bazë do të zhvillohet mësimi në këto klasa, si dhe do të trajnohen mësuesit e do të hartohen e përmirësohen tekstet. Përdorimi i këtyre teksteve do të vihet në zbatim gjatë vitit të ardhshëm shkollor në të gjitha klasat. Megjithatë, është pohuar se në përzgjedhjen e përmbajtjes së këtyre teksteve do të merret parasysh edhe opinioni i vetë mësuesve, nxënësve dhe prindërve, që do të mblidhen gjatë takimeve të ndryshme që do të zhvillohen në shkolla.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›